Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka nisur përdorimin e shprehjes “distancim fizik” në vend të “distancim social”, si shtegdalje për ta frenuar përhapjen e koronavirusit nga njeriu në njeri, një veprim ky që është mirëpritur me të madhe prej ekspertëve si hap në “drejtimin e duhur”.
Në një konferencë për media, zyrtarët e mekanizmit botëror të shëndetit publik kanë thënë se ruajtja e distancës fizike është “absolutisht qenësore” në kulmin e pandemisë botërore. Madje kanë theksuar se “kjo nuk nënkupton se shoqërisht të mbesim të palidhur me të dashurit tanë, me familjen tonë”.
Përhapja e rrufeshme e virusit, që së pari ishte detektuar në qytetin kinez Vuhan gjatë dhjetorit të shkuar, ka shtrënguar shumë shtete anembanë botës që të imponojnë mbyllje të plota të jetës publike, që t’i mbyllin aeroportet dhe të zbatojnë kufizime të ashpra të lëvizjes për qytetarët.
“Teknologjia, tani për tani, ka avancuar aq shumë saqë ne mund të ruajmë lidhjet tona në shumë mënyra, pa pasur nevojë që aktualisht të jemi edhe fizikisht në të njëjtën dhomë dhe në të njëjtën hapësirë me njerëzit”, ka deklaruar epidemiologia Maria van Kerkhove, transmeton KOHA.
“Po e ndryshojmë qasjen, duke thënë distancim fizik dhe se këtë e themi me qëllim që njerëzit të vazhdojnë të ruajnë lidhjet e tyre”, ka shtuar ajo.
Meqë koronavirusi përhapet kryesisht nëpërmjet spërklave, sidomos kur njerëzit kolliten ose teshtijnë, ruajtja e distancës së sigurt rekomandohet për uljen e shkallës së bartjes së virusit.
OBSH-ja rekomandon që të ruhet distanca prej më shumë se një metri prej personit më të afërt, përderisa disa ekspertë sugjerojnë që distanca e ndërmjetme të jetë së paku dy metra nga tjetri.
Një numër masash mund të merren për të ngritur hapësirën fizike ndërmjet dy personave.
Ato përfshijnë qëndrimin në shtëpi, punën nga shtëpia nëse është e mundshme, ruajtjen e kontakteve online me të dashurit, shmangien e tubimeve publike dhe transportin publik, si dhe distancën ndërmjet dy personave kur jeni në hapësirë publike.
“Distancimi social e bën të duket sikur njerëzit duhet të ndërpresin komunikimin ndërmjet vete, përderisa në vend të kësaj ne duhet të ruajmë sa më shumë që është e mundshme ndjenjën e bashkësisë, njëherësh të ruajmë distancën fizike me tjetrin”, ka deklaruar Jeremy Freese, profesor sociologjie në Universitetin e Stanfordit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Duhet që ta mbajmë distancën fizike për të mbrojtur mirëqenien fizike të gjithsecilit, por mirëqenia mendore pa dyshim është po aq e rëndësishme dhe izolimi social nuk është i mirë për mirëqenien mendore”, ka shtuar ai.
Martin Bauer, profesor sociologjie dhe metodologjie kërkimi në Shkollën Ekonomike të Londrës, ka mirëpritur ndryshimin e terminologjisë së OBSH-së, duke thënë se kjo është e domosdoshme.
“Mua qysh prej fillimit më ka penguar kjo përzgjedhje e pafat e gjuhës për të folur për ‘distancimin social’, kur në thelb kërkohej ‘distancimi fizik’”, ka deklaruar Bauer.
“Distanca fizike është diçka që kërkon centimetra ose metra. Është kjo distancë fizike e gjeografike ndërmjet personit A dhe personit B, derisa ‘distancimi social’ është masë që ngërthen kufij shoqërorë”, ka thënë ai.
Bauer ka thënë se është e rëndësishme që të bëhet dallim i qartë ndërmjet dy shprehjeve.
“Është mirë që OBSH-ja më në fund provoi që ta përmirësojë gabimin e mëhershëm, duke ngatërruar distancën fizike për distancën sociale”, ka thënë ai.
“Në këto kohë jashtëzakonisht të çuditshme, ne të qartësojmë distancimin fizik (së paku dy metra), por njëherësh duam që njerëzit të ruajnë afërsinë ndërmjet vete ‘shoqërisht’”.