Lifestyle

OBSH-ja paralajmëron: Pas 20 vjetësh do të ketë 60 për qind më shumë raste me kancer

Foto: Ilustrim

Nxitur kryesisht prej niveleve vazhdimisht të larta të HPV-së, hepatitit dhe konsumimit të duhanit - sidomos mes vendeve me të ardhura të ulëta - bota mund të përballet me 60 për qind më shumë raste të kancerit brenda 20 vjetëve të ardhshëm, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë, përmes një raport të ri.

Mbi 80 për qind e këtyre rasteve pritet që të diagnostikohen në vendet me të ardhura të ulëta, thuhet në raport. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përparimet në luftën kundër kancerit kanë qenë befasuese, pasi që rënia e konsumimit të duhanit dhe trajtimet më të efektshme ndaj sëmundjes po i rrisin gjasat për mbijetesë.

Shtete të tjera megjithatë nuk janë kaq me fat dhe u është dashur që t’i investonin burimet e tyre të kufizuara në luftimin e sëmundjeve infektive dhe shmangien e vdekjes së nënave dhe foshnjave gjatë shtatzënisë dhe foshnjërisë, shkruan Koha Ditore. Por në nivel global, OBSHja ka njoftuar se shtatë milionë jetë mund të shpëtohen përmes përmirë - simit të ekzaminimit dhe vaksinimit për HPV dhe hepatit, të cilat çojnë në të shumicën e rasteve drejt kancerit të qafës së mitrës dhe kancerit të mëlçisë. Në të gjithë botën - dhe në SHBA - kanceri është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve. Mes viteve 2016 dhe 2017, SHBA-ja shënoi rënie rekord prej 2.2 për qind më pak të vdekjeve brenda një viti.

Kjo ndodhi kryesisht shkaku që niveli i konsumimit të duhanit ka vazhduar të bjerë, për të regjistruar ulje rekorde. Mirëpo Shoqata Amerikane e Kancerit pos parandalimit i vlerësoi inovacionet dhe përmirësimet në shqyrtimin dhe trajtimin e dy prej formave më të zakonshme të sëmundjes: kancerit të lëkurës dhe mushkërive. Edhe shtetet e tjera të pasura kanë shënuar po ashtu rënie inkurajuese. Shtetet e varfra, nga ana tjetër, nuk kanë qasje në të njëjtat përfitime. Sipas një raporti të ri të OBSH-së, për sa kohë që vazhdojnë tendencat aktuale, bota pritet që të evidentojë rritje të rasteve me kancer dhe të vdekshmërisë nga kjo sëmundje.

Rreth 90 për qind e shteteve të pasura ofrojnë kujdes të plotë për të prekurit nga kanceri – nisur prej kontrollimit deri te diagnostikimi, trajtimi dhe kujdesi paliativ – në dispozicion përmes sistemeve të kujdesit shëndetësor publik. Por ky është vetëm rasti në rreth 15 për qind të vendeve më të varfra.

“Kjo është thirrje për të gjithë ne që t’i trajtojmë pabarazitë e papranueshme midis shërbimeve në vendet e pasura dhe ato të varfra”, ka thënë Ren Minghui, zyrtar në OBSH. “Nëse njerëzit kanë qasje në sistemet e kujdesit parësor, kanceri mund të zbulohet herët, të trajtohet në mënyrë efektive dhe të kurohet. Kanceri nuk duhet të jetë një dënim me vdekje për këdo, kudo”.

Në SHBA, fëmijëve të regjistruar në shkollë publike u kërkohet të vaksinohen kundër hepatitit A dhe B (përveç nëse, në disa shtete, atyre u është dhënë një përjashtim mjekësor ose tjetër). Dhe vaksina HPV, e prezantuar së fundmi, rekomandohet që të merret në moshën 11- vjeçare, në përpjekje për të parandaluar llojet e kancerit që shkaktohen prej viruseve seksualisht të bartshme, duke përfshirë kancerin e qafës së mitrës dhe ato në disa organe gjenitale. Masat e tilla kërkojnë investime, por nuk janë të paarritshme, ka njoftuar OBSH-ja.

“50 vjetët e kaluar kanë shënuar përparime të jashtëzakonshme në kërkimet për parandalimin dhe trajtimin e kancerit”, ka thënë Elisabete Weiderpass, drejtoreshë e Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC).