Shkencëtarët në Melbourne të Australisë kanë arritur me sukses të rrisin koronavirusin nga një mostër e një pacienti, gjë që mund të ndihmojë ekspertët ndërkombëtarë në rrugën për mposhtjen e këtij virusi. Kjo është hera e parë që virusi është rritur në një qendër tjetër jashtë Kinës.
Shkencëtarët vijnë nga Instituti “Peter Doherty”, bashkim i Spitalit Mbretëror në Melbourne dhe Universitetit të Melbournet.
Dr. Julian Druce, kreu i Laboratorit për Identifikim të Viruseve në këtë institut, ka thënë se koronavirusi i rritur në laborator është hap i madh që do të mundësojë hetime dhe gjetjen e diagnozës për virusin që ka pushtuar Kinën e që po zgjerohet në botë.
“Zyrtarët kinezë kanë lansuar rendin e gjeneve të këtij koronavirusi, që mund të jetë ndihmë për diagnozë, gjithsesi, me zotërimin e virusit të vërtetë tani kemi mundësi të verifikojnë të gjitha metodat testuese dhe t’i krahasojmë – ky do të jetë hapi për ndryshimin në rrugën e diagnostikimit”, ka thënë Druce, duke shtuar se ky virus do t’u ofrohet edhe ekspertëve ndërkombëtarë për gjetjen sa më të shpejtë të kurës, raporton “businessinsider”.
Virusi i krijuar do të përdoret për të krijuar një test të antitrupave, për të detektuar virusin edhe në pacientët që s’kanë shfaqur simptoma apo s’ishin në dijeni se kanë këtë virusi.
“Një test i antitrupave do të na mundësojë që të testojmë pacientët në të cilët dyshohet për virus, ashtu që të mbledhim një fotografi më të qartë se si virusi shpërndahet, dhe të gjejmë edhe shkallën e vërtetë të mortalitetit”, ka thënë zëvendësdrejtori i Institutit Doherty, Mike Catton.
Instituti po ashtu shfaqi një video që tregon rritjen e virusit në laborator.
Më shumë se 100 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në Kinë. Ky virus ka nisur të shpërndahet edhe në vende të tjera të botës.