Lifestyle

Java e Gjelbër sjell fëmijët e fshatit në qytetin metropolitan

Panairi i Javës së Gjelbër, ku rajonet rurale të Gjermanisë ekspozojnë produktet e tyre në kryeqytet, asnjëherë nuk është shoqëruar me kundërthënie sikurse sivjet. Fushata qeveritare “fëmijët e fshatit” nuk ka mjaftuar për t’i ulur tensionet.

Java e Gjelbër Ndërkombëtare është rast kur Gjermania e vërtetë lëshohet në Berlin. Është një panair i madh i produkteve bujqësore, por më shumë se kaq, është historia e tij prej më shumë se njëqind vjetësh që i jep jehonë edhe më të madhe.

“Grüne Woche” është një panair i madh prej dhjetë ditësh, ku në tezga vihet djathë, salsiçe, birrë e ekspozohen krenueshëm dhi, gjedhe, kuaj, muzika pop schlager dhe gjësende të ndryshme tradicionale bavareze në aktivitetin e përvitshëm që ka frekuentim të jashtëzakonshëm. Mbahet në cepin perëndimor të Berlinit. Brenda sallës luhet muzikë tradicionale me instrumente të ndryshme burimore. Shihen njerëz me rroba tradicionale, përderisa turistë nga krejt Gjermania shijojnë pijet e preferuara me e pa alkool.

Java e Gjelbër është gjithashtu mundësi për rajonet rurale të Gjermanisë – disa shtete mbushin krejt hapësirën e ndarë për ekspozimin e produkteve të tyre – për pushtuar metropolin dhe duke ua kujtuar banorëve të qytetit të madh se si jetohet përtej rrugëve e ndërtesave të hirta urbane. Ata njëherësh u tregojnë berlinasve se pse duhet të vizitojnë fshatrat dhe se cilat janë temat e tyre të preferuara politike që dëshirojnë të rrihen në agjendën qeveritare.

“Kjo është e rëndësishme që agrokultura të ketë një mundësi për ta prezantuar veten si duhet”, ka deklaruar Karl-Heinz Weber, i cili po merrte pjesë në panair te shtandi i Oberlangenit në Saksoninë e Poshtme, që gjithashtu ka fituar garën “Fshati ynë ka të ardhme”.

“Në qytet harroni se mund të jetoni edhe në fshat, se nuk ka tollovi trafiku derisa shkoni në punë. Ka çerdhe në të cilat kujdesi për fëmijët është i jashtëzakonshëm, dhe shkolla të mbajtura mirë”, ka shtuar ai. “Jeta shkon fjollë për shkak se ka ndjenjë komuniteti dhe fqinjësie, gjë që nuk ofrohet gjithnjë në qytet”.

Java e Gjelbër është e rëndësishme për të hapur mendjen e njerëzve, për të parë diversitetin, për t’i njohur të gjitha shtetet, për të mësuar se çfarë i bën, çfarë janë, dhe mbase që njerëzit se ku do të kalojnë pushimet e ardhshme verore e të mos dalin jashtë vendit”, ka thënë Madline Fejut, e cila vjen nga fshati me emër të madh për kultivimin e rrushit, Kremmen në Brandenburg. Ky rajon është i njohur edhe për kultivimin e llojeve të ndryshme bimore.

Në këtë panair të madh vihet re edhe prania e madhe e Ministrisë së Bujqësisë të Gjermanisë. Ajo ka zënë një sallë të tërë, ku mbahen diskutime të ndryshme me panele profesionale dhe ofrohen platforma për novacionet teknologjike dhe shkencore. Por Ministria është zënë pisk sivjet për shkak të presionit të aktivistëve të mjedisit dhe bujqve të acaruar me politikën qeveritare për bujqësinë dhe për çmimet e ushqimeve bujqësore.

Konflikti ishte zhvilluar edhe në internet me reagime kundër fushatës mediatike të Ministrisë së Bujqësisë. Me hashtagun “#Dorfkinder” (Fëmijët e fshatit), ministrja e Bujqësisë, Julia Klockner, është munduar të promovonte jetën bukolike në shekullin 21. Fushata nuk ishte aspak fyese dhe kishte slogane si “Fëmijët e fshatit u japin jetë të re mureve të vjetra”, ose “Fëmijët e fshatit e kanë parasysh krejt ekipin”.

Mbase kjo ishte arsyeja pse kishte vazhdimisht reagime në mediat sociale. Madje më vonë u mor vesh se shumë prej fotografive të përdorura në mediat sociale për të përshkruar jetën në fshat nuk ishin shkrepur fare në Gjermani.

Por ka pasur edhe reagime të atyre që mendojnë se nuk është dashur të përdoreshin imazhe fshati për shkak se shumë rajoneve rurale u mungon infrastruktura, si transporti publik dhe çerdhet. Shumë komentues kanë kritikuar ministren, duke thënë se ajo po i përdor për fushatë, porse “Julia Klockner nuk bën asgjë për ta”.

Konflikti politik për agrikulturën ishte ilustruar fundjavën e kaluar kur për të shënuar nisjen e Javës së Gjelbër aktivistët e mjedisit dolën në rrugë për të protestuar kundër produkteve industriale të bujqësisë, përderisa bujqit nxorën traktorët në rrugë për të protestuar kundër kufizimeve të reja mjedisore. Ata thonë se masat e reja do t’i shtrëngonin të hiqnin dorë prej biznesit të tyre.

Vetë njerëzit në Javën e Gjelbër kanë mendime të ndryshme për përplasjen politike. Martin Schels ka thënë se ka pak fjalë të mira për qeverinë. “Julia Klockner është një ministre e cila po mundohet të bëjë çmos për të gjithë, por kush po i lë pas dore bujqit”, ka thënë ai.

Me gjerësisht në numrin e sotëm të gazetës “Koha Ditore”