Magazina televizive dedikuar modës rikthehet në ekranin e Kohavisionit me sezonin e ri.
Pas një shkëputjeje, “Fashionista” vjen me format dhe imazh tjetër duke sjellë informacione dhe materiale për zhvillimet në fushën e modës në vend dhe trendët që sjellin disenjatorët dhe evenimentet më të rëndësishme në botë.
Prezantuesja dhe autorja Kaltrina Haziri së bashku me ekipin e emisionit do të sjellin atë që u ka munguar adhuruesve të modës dhe imazhit në ekranet televizive kosovare.
Emisioni përveç materialeve nga pistat e modës dhe lajmet për personazhin e njohur sjell edhe rubrikat si “Vouge”, që shpalos një rrëfim nga një personalitet i njohur, “Fashion n'insta”, që sjell trendët e imazhit në rrjete sociale dhe “Sefte”, rubrika që i vë personazhet publike në 8 situata në të cilat nuk i keni parë.
Emisioni në 40 minuta përveç argëtimit, shtyllë qendrore do të vazhdojë të mbajë informacione mbi modën dhe kurimin e imazhit.
Edicioni paralajmërues për sezonin e ri u transmetua në kuadër të programit festiv në KTV me intervistën ekskluzive me Laura Imamin, e njohur për suksesin e saj në dizajnimin e syzeve të cilat ndër vite janë afirmuar nga disa prej personazheve të njohura të botës së shoubizit derisa qenë lavdëruar edhe nga ikona e modës dhe filmit, Tom Ford.
Të tilla intervista të formatit të veçantë do të vijnë çdo javë në kuadër të emisionit, i cili mbetet adresë për gjithë ata që pëlqejnë modën dhe duan të jenë në hap me trendët e rinj. Fashionista transmetohet çdo javë nga ora 19:50 në Kohavision.