Viti i kaluar ishte më viti i dytë më i ngrohtë në Tokë që kur kanë nisur mbajtjet e shënimeve, dhe bota duhet të përgatitet për mot edhe më ekstrem që do të çojnë në ngjarje sikurse djegiet e pyjeve që po ndodhin në Australi, ka thënë Organizata Botërore e Meteorologjisë (WMO).
WMO, me bazë në Gjenevë, ka kombinuar disa të dhëna, përfshirë dy nga administrata hapësinore amerikane NASA dhe Zyra e Meteorologjisë Britanike.
Këto të dhëna treguan se temperatura mesatare globale më 2019 ishte 1.1 gradë Celsius (2.0 Fahrenheit) mbi nivelet para-industriale, duke tejkaluar limitin e pajtuar globalisht pas së cilit ndryshime të mëdha në jetën në Tokë janë të pritshme, raporton Reuters.
“Fatkeqësisht, ne presim të shohim mot edhe më ekstrem gjatë 2020-ës dhe në dekadat e radhës, të nxitura nga nivele rekorde të lirimit të gazrave serrë në atmosferë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i WMO-së, Petteri Taalas, transmeton Koha.net.
Australia ka përjetuar vitin e saj më të ngrohtë e më të thatë ndonjëherë – parakusht për djegie pyjesh.
Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike me gjasë mund të kenë kontribuuar në këtë mot ekstrem më 2019 siç ishte vala e të nxehtit në Evropë dhe uragani që vrau së paku 50 persona kur goditi shtetin Bahamas në shtator.
WMO më herët ka thënë se mund të pritet ngritje edhe më të mëdha temperaturash – 3-5 Celsius (5.4-9.0 Fahrenheit) – nëse nuk bëhet asgjë për të ndaluar rritjen e emetimeve të dëmshme, të cilat arritën një rekord të ri më 2018.
Viti më i ngrohtë ndonjëherë ishte 2016-ta, kur temperaturat mesatare të sipërfaqes arritën në 1.2 Celsius (2.2 Fahrenheit) mbi nivelet para-industrial, tha WMO.