Lifestyle

Shkencëtarët përmes qelizave të bretkosave krijojnë “robotët e gjallë”

Foto: The Guardian

Shkencëtarët amerikanë kanë krijuar makinat e para të gjalla duke përdorur qelizat nga bretkosat afrikane, të quajtur Xenopus Laevis. Po ashtu, shkencëtarët krijimet e tyre të reja i quajnë “xenobots”.

“Këto janë forma krejtësisht të reja të jetës. Nuk kanë ekzistuar kurrë më parë në Tokë”, ka thënë Michael Levin, drejtori i Qendrës për Zbulim “Allen” në Universitetin e Medfordit në Massachusetts, shkruan “The Guardian”. “Ata janë organizma të gjalla dhe të programueshme”, shtoi ai.

Robotistët më shumë favorizojnë materialet nga metali dhe plastika për forcën dhe qëndrueshmërinë, por Levin dhe kolegët e tij shohin përfitime në prodhimin e robotëve nga indet biologjike, transmeton Koha.net. Kur dëmtohen, robotët e gjallë mund të shërojnë plagët e tyre, si dhe prishen kur i kryejnë detyrat, ngjashëm sikurse organizmat natyrorë që kalben kur vdesin.

Veçoritë unike të tyre nënkuptojnë që versionet e ardhshme të robotëve do të mund të përdoren për të pastruar ndotjet mikroplastike në oqeane, lokalizimin dhe tretjen e materialeve toksike, shpërndarjen e ilaçeve në trup ose heqjen e pllakës nga muret e arterieve, thonë shkencëtarët.

Gjithashtu, “xenobotët” synohet të ndërtohen me enët e gjakut, sistemin nervor dhe qelizat shqisore për të formuar sytë rudimentare.

Image
Foto: The Guardian

“Qëllimi është që të kuptohet softueri i jetës”, ka thënë Levin.

Ky hulumtim është i financuar nga programi amerikan i të mësuarit për makineritë “US Defense Advanced Research Projects Agency”, i cili synon të rikrijojë proceset e të mësuarit biologjik në makina.