Lifestyle

Studimi i ri: Shprehitë e shëndetshme shtojnë 10 vjet jetë pa sëmundje

Gratë mund të shtojnë 10 vjet jetë pa kancer, probleme të zemrës e sëmundje të sheqerit, nëse kanë shprehi të shëndetshme. Sipas një studimi të “BMJ-së”, me shprehi të shëndetshme burrat mund të shtojnë shtatë vjet jetë pa këto sëmundje në moshë të shtyrë.

Ata duhet të ushtrojnë rregullisht, të konsumojnë alkool në mënyrë të matur e të kenë trup të shëndetshëm, dietë të mirë e të mos pinë duhan për të përjetuar jetë më të shëndetshme.

Hulumtimi amerikan u bazua në të dhënat e më shumë se 110 mijë njerëzve, të cilët u përcollën për më shumë se 20 vjet, shkruan BBC.

Autori i hulumtimit, Dr Frank Hu nga shkolla e shëndetit publik Harvard në Boston, ka thënë se studimi ka “dhënë mesazh pozitiv për publikun”.

“Ata jo vetëm që marrin më shumë vjet jetë, por marrin vjet të mirë përmes përmirësimit të stilit të jetës”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Çka është stili i jetës i shëndetshëm?

Në moshën 50-vjeçare, pjesëmarrësit u pyetën nëse kanë përmbushur katër nga pesë kriteret:

Kurrë s’kanë konsumuar duhan

Dietë të shëndetshme e të balancuar

30 minuta aktivitet të përditshëm

Indeksi i masës trupore mes 18.5 dhe 24.9

Jo më shumë alkool se një gotë të vogël verë në ditë për gratë dhe një gotë birrë në ditë për burrat

Gratë që kanë jetuar me këto shprehi të shëndetshme jetuan edhe mesatarisht 34 vjet më shumë pa kancer, sëmundje të zemrës apo diabet – 10 më shumë se gratë që s’i kishin përmbushur këto kritere.

Për burrat – kjo ishte 31 vjet, apo shtatë më shumë se ata që s’i kanë përmbushur kriteret.