Shkencëtarët po hulumtojnë se si “lind” kanceri në mënyrë që ta luftojnë atë para lindjes Foto: Instituti Francis Crick

Shkencëtarët po hulumtojnë se si “lind” kanceri në mënyrë që ta luftojnë atë para lindjes

21 October 2019 12:52

Shkencëtarë britanikë e amerikanë po bashkohen për të bërë kërkime për fazat më të hershme të kancerit në tentim për të gjetur dhe trajtuar sëmundjen para se të shfaqet.

Ata planifikojnë të “lindin” kancerin në laborator për të parë saktësisht se si duket ai “në ditën e parë”.

Ky është vetëm një nga prioritetet e hulumtimit të Aleancës së re Ndërkombëtare për Zbulim të Hershëm të Kancerit.

Puna së bashku në zbulimin e hershëm të kancerit nënkupton që pacientët do të përfitojnë më shpejtë, thonë shkencëtarët, raporton BBC.

Organizata për hulumtime të kancerit në Britani, “Cancer Research UK”, është bashkuar me Universitetet e Cambridgeit, Manchesterit, me Kolegjin Universitar të Londrës dhe atë të Stanfordit e Oregonit në SHBA, për të shkëmbyer ide, teknologji dhe ekspertizë në këtë fushë, transmeton Koha.net.

Bashkë, shkencëtarët po synojnë të zhvillojnë teste më pak invazive, siç janë testet e gjakut, frymëmarrjes dhe urinës, për të monitoruar pacientët me rrezikshmëri të lartë, duke përmirësuar teknikat e pasqyrimit për të zbuluar kancerin herët dhe për të parë virtualisht shenjat e padetektueshme të sëmundjes.

Por ata pranojnë se kjo nënkupton sikur të “kërkosh një gjilpërë në kashtë” dhe mund të jenë 30 vjet larg.

“Problemi themelor është se kurrë nuk mund të shohim kancerin duke u lindur në një qenie njerëzore”, ka thënë Dr David Crosby, shef i hulumtimeve për zbulim të hershëm në “Cancer Research UK”.

“Derisa ne e gjejmë, ai veçse ka formuar bazë”.

Hulumtues nga Manchesteri, për shembull, po rritin indin e gjirit njerëzor në laborator me qelizat imune sintetike për të parë nëse mund të vërejnë ndryshime më të hershme e më delikate që mund të çojnë në kancer.

Profesori Rob Bristow tha se ishte i ngjashëm me një “grumbull të indeve të gjalla jashtë pacientëve”.

Por ekziston gjithmonë rreziku i mbi-diagnozës, sepse jo të gjitha ndryshimet e hershme qelizore shndërrohen në kancerë.

Prandaj hulumtuesit e kancerit thonë se duhet të jenë më precizë, duke shikuar edhe gjenet me të cilat lindin njerëzit dhe ambientin ku ata rriten, për të parë rrezikun unik individual të kancerëve të ndryshëm.

Vetëm në këtë fazë ata do të dinë kur të intervenojnë.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme