Fruktoza mund të jetë më e dëmshme për shëndetin tuaj sesa glukoza, sipas një studimi të ri rigoroz në kafshët i cili ka krahasuar efektin e të dy komponenteve ëmbëlsuese në metabolizmin e mëlçisë.
Hulumtimi i paraqet disa nga provat më të qarta shkakore deri më sot, duke demonstruar sesi ushqyerja me nivel të lartë të fruktozës jo vetëm që e pengon aftësinë e mëlçisë për ta metabolizuar yndyrën, por edhe e dëmton thelbësisht mitokondrinë e saj, shkruan sot Koha Ditore.
"Kjo është një nga një seri studimesh që i kemi bërë në lidhje me atë se çfarë roli e luan niveli i lartë i fruktozës në ushqyerje për sa u përket rezistencës ndaj insulinës dhe sindromës metabolike", shpjegon C. Ronald Kahn, autori kryesor i studimit. “Fruktoza bën që mëlçia të akumulojë yndyrë. Ajo vepron pothuajse si të shtosh më shumë yndyrë në dietë. Kjo bie në kontrast me efektin e shtimit të më shumë glukozës në dietë, e cila e promovon aftësinë e mëlçisë për ta djegur yndyrën, dhe prandaj në fakt e bën një metabolizëm më të shëndetshëm."
Hulumtimet e mëparshme e kishin identifikuar këtë mospërputhje midis efekteve metabolike të glukozës kundrejt fruktozës në mëlçi, por se çfarë saktësisht po ndodhte mekanikisht kjo ishte e paqartë. Për t’i shënjestruar proceset përkatëse fiziologjike, hulumtuesit i krahasuan efektet metabolike të gjashtë dietave të ndryshme në minj, duke përfshirë dietat e rregullta dhe ato me nivel të lartë yndyre ose me nivel të lartë fruktoze ose me nivel të lartë glukoze.
Një numër i markerëve të ndryshëm metabolikë shpejt u dalluan prej hulumtuesve. Dieta me nivel të lartë yndyre dhe me nivel të lartë fruktoze i rriti nivelet e molekulave të quajtura acylcarnitine në qelizat e mëlçisë. Kjo sugjeroi se kishte procese të djegies së yndyrës së tepërt të cilat ndodhin në mëlçinë e kafshëve që e hanë veçanërisht këtë dietë. Një tjetër flamur i kuq i identifikuar nga hulumtuesit në lidhje me dietën me nivel të lartë yndyre dhe nivel të lartë fruktoze ishte niveli i ulët i një enzime të quajtur CPT1a.
Nivelet e ulëta të kësaj enzime sugjeruan se dietat me nivel të lartë fruktoze dukej se po e dëmtonin mitokondrinë e caktuar që është përgjegjëse për proceset normale të djegies së yndyrës.
Dhe duke e analizuar më detajisht mitokondrinë në mënyrë specifike, hulumtuesit zbuluan se dietat me yndyrë të lartë dhe ato me yndyrë të lartë plus fruktoza po i dëmtonin këto organele vitale. "Kur mitokondritë janë të shëndetshme, ato e kanë një formë të bukur vezake dhe të tërthortë", thotë Kahn.
"Në grupin me nivel të lartë yndyre plus fruktozë, këto mitokondri janë të fragmentuara dhe nuk janë në gjendje ta djegin yndyrën si mitokondritë e shëndetshme. Por, kur shikohet grupi me dietë me nivel të lartë yndyre plus glukozë, ato mitokondri bëhen me pamje më normale sepse e djegin yndyrën normalisht”.
Derisa asnjë prej këtyre hulumtimeve nuk sugjeron që dietat me nivel të lartë glukoze janë të sigurta ose të shëndetshme, është e qartë se përkundër përmbajtjes së barabartë kalorike, këto anomali metabolike nuk u detektuan në dietat me nivel të lartë glukoze. Pra, në thelb, kaloritë e tepërta nga një dietë me nivel të lartë yndyre do të digjen në mënyrë më efektive kur konsumohen me glukozë në vend të fruktozës. Fruktoza duket se e ndihmon mëlçinë të mos e djegë yndyrën, por ta sintetizojë dhe ruajë atë.
"Konkludimi më i rëndësishëm prej këtij studimi është se niveli i lartë i fruktozës në dietë është i keq", thotë Kahn.
"Nuk është i keq sepse është me më shumë kalori, por sepse ka efekte në metabolizmin e mëlçisë për ta përkeqësuar atë gjatë djegies së yndyrës. Si rezultat, shtimi i fruktozës në dietë e bën mëlçinë të ruajë më shumë yndyrë, dhe kjo është e keqe për mëlçinë dhe e keqe për metabolizmin e tërë trupit”. Hulumtimi i ri u publikua në revistën “Cell Metabolism”.