Lifestyle

Vaksinimi problem ndërkombëtar, rritet vdekshmëria foshnjore në Europë

Brukseli zyrtar e konsideron alarmante gjendjen e sëmundjeve epidemike që marrin jetën e fëmijëve pasi masat e parandalimit nëpërmjet vaksinimit, nuk kanë gjetur zbatimin e duhur.

Në samitin botëror të vaksinimit, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka deklaruar se skepticizmi për këtë çështje duhet të marrë fund dhe gjithashtu duhet të shtohen fondet për kërkimin shkencor në këtë drejtim.

Jean Claude Juncker, President I Komisionit Europian:

“Komisioni Europian është angazhuar fuqishëm në fushatën kundër keqinformimit ndaj vaksinimit, ne duhet të bëhemi bashkë për të mirën e fëmijëve tanë. Më vjen keq që shifrat në tre muajt e parë të vitit 2019 flasin për një rritje të vdekshmërisë foshnjore si pasojë e fruthit dhe kjo ka ndodhur në vende që nuk kanë një qasje pozitive ndaj vaksinës. Pas varfërisë dhe konfliktit, skepticizmi është një nga faktorët që i shtyn njerëzit të luajnë me zjarrin duke refuzuar vaksinën. Ne duhet të shtojmë përpjekjet në këtë drejtim dhe këtë e konsideroj urgjente.”

Sipas UNICEF, një në pesë fëmijë në rang botëror nuk është vaksinuar gjatë vitit 2018, duke i shtuar kështu mundësitë e vdekshmërisë nga sëmundjet epidemike. Sa i takon kontinentit të vjetër, organizata botërore e shëndetësisë ka paralajmëruar se fruthi është rikthyer në katër vende europiane që më parë merreshin si shembull për mungesën e kësaj sëmundjeje.

Shqipëria, Republika Çeke, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar konsiderohen si vende që nuk kanë arritur ta çrrënjosin sëmundjen.

Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe potencialisht fatale që shkakton kollitje, skuqje dhe ethe. Sëmundja mund të parandalohet përmes dy dozave të vaksinës MMR, e cila është në dispozicion falas për të gjithë fëmijët e vegjël.