Lifestyle

Tërshërë dhe kanellë për përmirësimin e tretjes

Foto: Ilustrim

Tërshëra është një nga drithërat e pasura me vitamina, minerale dhe fibër, tre përbërës kyç për një tretje të mirë.

Përpos këtyre vlerave, tërshëra është e mrekullueshme për pastrimin e mëlçisë dhe sistemit tretës dhe ka një efekt qetësues në organizëm.

Ekspertët rekomandojnë një kurë natyrale me tërshërë dhe kanellë për përmirësimin e tretjes.

Për përgatitjen e kësaj kure të mirë për tretjen ju nevojiten:

6 filxhanë kafeje ujë;

1 lugë çaji me kanellë pluhur;

1 filxhan kafeje me tërshërë.

Përgatitja:

Përpara se të flini, vendoseni tërshërën në një tas me ujë dhe mbajini në të për 7 orë. Në mëngjes, kullojini dhe shpëlajini me ujë. Shpëlarja ka si qëllim eliminimin e anti-ushqyesve dhe enzimave që çlirohen në ujë. Më pas, tërshërën hidheni në një mikser, shtoni ujë dhe kanellë. Përziejini mirë dhe më pas lëngun e trashë pijeni. Këtë kurë mund ta përdorni 1 herë në javë.

Vlerat e tërshërës për tretjen

Fibra tek tërshëra është e patretshme. Kjo fibër është si një fshesë e cila pastron të gjithë sistemin tretës dhe vë zorrët në lëvizje. Lëvizshmëria e rregullt e zorrëve ndihmon në eliminimin e toksinave nga organizmi. Nga ana tjetër, vitaminat dhe mineralet që ofron tërshëra, përthithen mjaft mirë nga sistemi tretës. Një përthithje e tillë pengon rritjen e beftë të sheqerit në organizëm, gjë që ndodh zakonisht pas konsumit të një vakti.

Vlerat e kanellës për tretjen

Kanella është e para në listën e 26 erëzave më të pasura me antioksidantë. Studimet kanë konfirmuar se kanella ndihmon kundër problemeve me tretjen, fryrjeve, urthit, të përzierave dhe kontraktimeve të stomakut. Kanella ul nivelin e sekretimit të acidit gastrik në stomak duke e mbrojtur sistemin tretës nga inflamacioni dhe ulcera. Sasia e sigurt e kanellës për shëndetin është deri në 6 gramë në ditë për 6 javë rresht.

Si në rastin e çdo ushqimi tjetër, edhe kura e tërshërës me kanellë duhet përdorur ngadalë për t’i dhënë kohë organizmit. Fibra është sa e mirë por edhe e vështirë. Nëse organizmi përballet krejt papritur me një sasi të lartë fibre, do të vuajë nga konstipacioni, diarreja, gazrat dhe dhimbje të barkut./agroweb