Lifestyle

Vlera Lekaj: Yndyrat në gjak dhe rreziku që sjellin për zemrën

Në thelb të sëmundjeve të enëve të gjakut dhe të zemrës qëndron pikërisht një proces, i cili ka në bazë formimin e një lezioni (strukture), i cili ngushton enët e mëdha të gjakut (koronaret), të cilat ushqejnë zemrën me gjak. Ky proces nis që herët dhe shfaqet klinikisht në formën e dhimbjeve të gjoksit të vazhdueshme, infarktit të zemrës, aritmive të ndryshme e deri në vdekjen e papritur. Ky lezion quhet ndryshe lezion aterosklerotik dhe kjo sëmundje e rëndë, që rrezikon jetën njihet si sëmundja aterosklerotike koronare e zemrës (SAK).

Prej më shumë se dy dekadash, vdekshmëria nga sëmundjet kardiovaskulare zë vendin e parë në vdekshmërinë e përgjithshme në botë. Në Shqipëri (SAK) vazhdon të jetë një nga problemet më madhore dhe të diskutueshme të shëndetit publik. Lezionet që përmendëm më lartë zhvillohen më së shumti në nivel të arterieve të mëdha dhe tentojnë t’i bllokojnë ato.

Procesi nëpër të cilin kalon formimi i këtyre strukturave është një proces kompleks, me bazë inflamacionin, kalcifikimin dhe përfshirjen e shumë lëndëve. Një nga këto lëndë janë pikërisht yndyrat, të cilat luajnë rol kritik në këtë proces, i cili njihet si aterosklerozë, nga ku ka marrë dhe emrin sëmundje aterosklerotike e zemrës.

Yndyrat

Yndyrat janë lëndë organike, me rëndësi jetësore për organizmat e gjallë. Ato janë pjesë e strukturës së qelizës njerëzore, duke shërbyer si burim energjie për të. Pra, janë të domosdoshme për ciklin e jetës.

Sigurisht, momenti kur ato bëhen të rrezikshme ka të bëjë me rritjen e tyre përtej normës. Duke u kthyer kështu në rrezikun më të madh për aterosklerozën, procesin që bllokon dhe dëmton enët e gjakut duke penguar kështu furnizimin me gjak, i cili bëhet fatal nëse kompromenton punën e zemrës sonë. Duke gërmuar në histori, zbulojmë se kjo problematikë e lidhur me zemrën dhe enët e gjakut që e furnizojnë atë, daton që nga lashtësia. Studiuesit në bashkëpunim me një grup mjekësh kanë arritur të ekzaminojnë dhe skanojnë mbetje të mumifikuara të 500 viteve më parë me origjinë egjiptiane.

Rezultatet ishin surprizuese, sepse arritën të identifikonin elemente të procesit të aterosklerozës në mostrat e analizuara. Sigurisht, nëse ngremë pyetjen se nga e ka origjinën kjo yndyrë e tepërt, përgjigja do jetë ushqimi. Dhe këtu qëndron e veçanta e studimit sepse vërteton se edhe dekada më parë, pavarësisht se ushqimi mund të ketë qenë më natyral, i papërpunuar, përsëri gjejmë elemente të këtij procesi të dëmshëm. Mendohet se baza e ushqimit në lashtësi ka qenë peshku, por dhe peshku përmban disa lloje yndyrash të dëmshme, që kur tejkalohet norma e tyre, kthehen në të rrezikshme.

Faktorë të tjerë

Ateroskleroza nuk ka vetëm yndyrat si faktorë të vetëm për ndodhjen e saj. Ndër faktorë të tjerë të rrezikshëm për ndikimin negativ në organizëm dhe rritjen e rrezikut të kësaj sëmundjeje përmendim edhe duhanin. Duhanpirja është një nga faktorët e mënjanueshëm, pra që njeriu e ka më nën kontroll të vullnetit të tij se faktorët e tjerë. Megjithatë, shëndeti publik rendit pirjen e duhanit si shkakun e vetëm, më të madh të vdekjes së parakohshme të individëve të moshës 35 deri 70 vjeç. Siç mund të vihet re, pragu i moshës së vdekjeve të parakohshme është i ulët (35 vjeç). Studimi më i madh epidemiologjik dokumenton se vdekshmëria kardiovaskulare rritet 18% për meshkujt dhe 31% për femrat për çdo 10 cigare të pira në ditë.

Ndërkohë, është vërtetur që lënia e duhanit te të sëmurët e diagnostikuar me sëmundje zemre ul riskun e vdekjes me 35 deri në 40%. Obeziteti një tjetër faktor i rrezikut për këtë sëmundje, i lidhur sigurisht me treguesin e masës trupore, ku nga studimet treguesit e lartë të masës trupore rrisin riskun e kësaj sëmundjeje 3 herë më shumë së në njerëz me tregues të masës trupore brenda normës. Inaktiviteti fizik, i cili me moshën vjen e pakësohet. Personat të cilët kanë një aktivitet fizik më të mirë në krahasim me ato që bëjnë një jetë sedentare, janë më pak të prirur për këtë sëmundje.

Alkooli, i cili në fakt i konsumuar në doza të vogla mbahet si faktor mbrojtës sepse liron enët e gjakut, por kur kalon sasinë e duhur, bëhet i rrezikshëm për insult cerebral. E theksoj që faktorët e mësipërm hyjnë në grupin e faktorëve të shmangshëm, që mund të ndryshohen nga vullneti dhe forca e njeriut. Të tjerë faktorë deri diku të pakontrolluar nga njeriu janë: Gjenetika familjare: Individët me histori familjare për këtë sëmundje janë më të predispozuar për ta pasur këtë sëmundje. Sigurisht, nëse kësaj prirjeje gjenetike i bashkohen dhe faktorë të tjerë rreziku si duhani apo obeziteti.

Mosha: Me kalimin e moshës mbi 45 vjeç, ky rrezik është më i pranishëm më i lartë për meshkujt. Ndërkohë që mbi 70 vjeç, kjo mundësi barazohet për të dyja gjinitë. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe sëmundje si diabeti i sheqerit apo hipertensioni, të cilat në thelb janë të ndikuar nga njëra-tjetra si dhe nga faktorët e tjerë të riskut, por mbeten shkaqe të rëndësishme për sëmundjet e zemrës.

Parandalimi

Parandalimi i kësaj sëmundjeje kërkon investim afatgjatë në shëndet, i cili nis që në fëmijëri, me kujdesin në ushqime të balancuara në yndyra, në mënyrë qe për individin të kthehet në kulturë dhe në të ardhmen. Aktivitetet fizike dhe sportive janë një antidot i kësaj sëmundje dhe sigurisht edukimi për të mbajtur larg veset si duhani apo alkooli.

Kjo është një fazë parandaluese e sëmundjes bazë që të mos shfaqet, por parandalim vazhdon dhe te njerëzit që e kanë këtë sëmundje tashmë, por tani për t’i mbrojtur nga rreziku i vdekjes, ku në këto raste kërkohet ndërhyrja me medikamente dhe regjim të sertë. Ndërgjegjësimi për këtë sëmundje po vjen e rritet në nivel të shoqërisë, por përherë ka nevojë për thirrje, që të modelohet stili i jetës dhe të kryhen ‘check up’, ku njerëzit të mund të monitorojnë shëndetin e tyre, sepse niveli i yndyrave vlerësohet në një analizë të thjeshtë gjaku/G.SH.