Lifestyle

Për kafjall shmangni produktet e furrës, jogurtët e frutave dhe ushqimet kalorike

Kafjalli është shujta më e rëndësishme e ditës dhe nuk është mirë të kapërcehet, sepse, siç thonë ekspertët, qysh në mes të ditës do të përballemi me kokëdhimbje, plogështi dhe mungesë koncentrimi. Por, gjithashtu është e rëndësishme të keni kujdes se çfarë do të hani për mëngjes.

Është shumë e rëndësishme që ta filloni mëngjesin me ushqime cilësore, ndërsa ekspertët këshillojnë që t’i shmangni produktet e furrës, jogurtet e frutave dhe ushqimet e yndyrshme dhe kalorike.

Image

Produktet e furrës nga brumi na tërheqin me shijen dhe aromat dhe e krijojnë ndjenjën e ngopjes, por shpesh përmbajnë sasi të mëdha të aditivëve, kripërave dhe sheqernave, gjë që nuk është kombinim i mirë për fillimin e ditës. Kripa e mban ujin në organizëm, ndërsa yndyrat vështirë treten. Përveç kësaj, produktet e furrës nuk e kanë asnjë vlerë ushqyese, prandaj është më mirë t'i shmangni ato, shkruan KOHA Ditore.

Shumë njerëz për kafjall zgjedhin jogurtë frutash, të cilët për shkak të sasisë së sheqerit dhe aditivëve që i përmbajnë, janë në përgjithësi të këqij për shëndet. Në vend që të hani jogurtë të frutave që nuk e kanë pothuajse asnjë vlerë ushqyese, më mirë hani fruta të vërteta ose bëni vetë lëng prej frutave të freskëta ose frutat shtoni në një jogurt të thjeshtë.

Për kafjall duhet t’i shmangni edhe ushqimet e yndyrshme dhe kalorike si vezët e fërguara, bukën e bardhë, majonezën, sallamin etj. Organizmi juaj do t’i tretë këto ushqime me vështirësi, ndërsa yndyrat e pashëndetshme do të shndërrohen në inde dhjamore.