Kuriozitet

Toka po bllokon dy herë më shumë nxehtësi sesa më 2005

nasa

Toka tani po bllokon dy herë më shumë nxehtësi sesa 14 vjet më parë, sipas gjetjeve të një studimi të ri, i cili ngre shqetësime në lidhje me përshpejtimin e mundshëm të ndryshimit të klimës.

Studiuesit vëzhguan të dhënat nga “Clouds and the Earth’s Radiant Energy System (CERES)”, i cili fluturon në disa satelitë të NASA-s për vëzhgimin e Tokës dhe mat se sa energji absorbon planeti në formën e dritës së diellit dhe sa prej saj lëshon përsëri në hapësirë në formën e rrezatimit infra të kuqe.

Diferenca midis energjisë hyrëse dhe dalëse quhet çekuilibër i energjisë dhe studimi zbuloi se në periudhën midis 2005 dhe 2019 çekuilibri u dyfishua në krahasim me vitet më parë, shkruan space.com.

Shkencëtarët përdorën të dhëna shtesë nga “Argo”, një rrjet ndërkombëtar i sensorëve robotikë të shpërndarë në të gjithë oqeanet e botës, të cilët matin shpejtësinë me të cilën oqeanet nxehen. Studiuesit thanë se krahasimi i të dhënave CERES me Argo ndihmoi në forcimin e gjetjeve pasi dihet që oqeanet globale thithin deri në 90% të energjisë së tepërt të bllokuar nga planeti.

Autori kryesor i studimit Norman Loeb dhe ekipi i tij arritën në përfundimin se ngrohja e rritur është rezultat i proceseve që ndodhin natyrshëm dhe atyre të bëra nga njerëzit. Rritja e përqendrimeve të gazrave serë si dioksidi i karbonit dhe metani në atmosferën e Tokës çojnë në bllokimin më të madh të nxehtësisë nga planeti.

Loeb shtoi se ndërsa studimi kap vetëm një periudhë të shkurtër kohe, shkalla e marrjes së nxehtësisë sugjeron që klima e Tokës është edhe më e çekuilibruar sesa mendohej më parë dhe se mund të priten efekte më të këqija, përfshirë temperaturë më të theksuar dhe rritjen e nivelit të detit nëse trendi nuk përmbyset.