Tim Friede është kafshuar nga gjarpinjtë qindra herë – shpesh edhe me qëllim. E tani shkencëtarët po e studiojnë gjakun e tij me shpresën për të krijuar trajtim më të mirë ndaj kafshimit të gjarpinjve.
Friede prej kohësh ka qenë i dhënë pas zvarranikëve dhe krijesave të tjera helmuese. Në të kaluarën e mblidhte helmin e akrepave dhe merimangave si hobi dhe i mbante dhjetëra gjarpinj në shtëpinë e tij në Wisconsin.
Duke shpresuar që ta mbrojë veten nga kafshimet e gjarpinjve – dhe i nxitur nga ajo që ai e quan “kuriozitet” – Friede nisi të injektonte helm të gjarpinjve në doza të vogla dhe më pas e rriti dozën që të fitonte “imunitet”. Pas kësaj, i lejonte gjarpinjtë ta kafshonin.
“Fillimisht, ishte shumë e rrezikshme”, ka thënë Friede. “Por më shpesh që e bëni, bëhemi më të mirë dhe më të qetë”.
Përderisa asnjë mjek apo teknik s’do ta rekomandonte një gjë të tillë, ekspertët kanë thënë se metoda e tij tregon se si funksionon trupi. Kur sistemi imunitar u ekspozohet toksinave të helmit të gjarprit, ai zhvillon antitrupa që mund ta neutralizojnë helmin. Nëse është sasi e vogël e helmit, trupi mund të reagojë para se të mbingarkohet. E nëse është helm që trupi e ka parë në të kaluarën, ai mund të reagojë më shpejtë e të përballojë doza edhe më të mëdha.
Friede u ka rezistuar kafshimeve dhe injektimeve për gati dy dekada dhe ende ka plot helm në frigorifer. Në videot e publikuara në kanalin e tij në YouTube, ai i tregon shenjat e dhëmbëve në krahë nga kafshimet e mambës, kobrës e llojeve të tjera të zvarranikëve.
Për rastet e tij ai u ka dërguar informata çdo shkencëtari që ka arritur ta gjejë. Dhe për ndihmën e tij mund të ketë nevojë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit në botë vdesin 110 mijë persona nga kafshimet e gjarpinjve. Dhe krijimi i antihelmit është i shtrenjtë e i zorshëm. Madje kryesisht antihelmet janë efektive veç kundër llojeve të specifikuara të specieve. Nganjëherë mund të nxisin edhe kundërreagime.
Tani, në një studim të publikuar të premten në revistën “Cell”, Peter Kwong nga Universiteti Columbia dhe bashkëpunëtorët e tij, treguan se çfarë janë në gjendje të bëjnë me gjakun unik të Friedet. Ata identifikuan dy lloje antitrupash që mund të neutralizojnë helmin nga specie të ndryshme të gjarpinjve dhe tani qëllimi është që një ditë të prodhohet një trajtim për të ofruar mbrojtje më efikase.
Studimi është në fazë krejt të hershme. Antihelmi po testohet në kavje dhe hulumtuesit thonë se janë ende disa vite larg nga testimi te njerëzit.
“Pavarësisht premtimeve që po jep eksperimenti, ka shumë punë për të bërë”, ka thënë Nicholas Casewell, hulumtues në Shkollën e Mjekësisë Tropikale në Liverpool, edhe pse nuk ishte përfshirë në studim.
E rruga e deritashme e Friedet s’ka qenë e lehtë dhe pa gabime. Atij i është dashur të priste një pjesë të gishtit e madje disa herë ka përfunduar në spital.