Një pulovër 200-vjeçare në një stil që i ngjan shumë veshjes kombëtare të Ishujve Faroe është gjetur në gjendje shumë të mirë mes një grumbulli letrash të shekullit 19 në Arkivin Kombëtar të Britanisë.
Pulovra ishte e dedikuar për një grua në Danimarkë, por kurrë nuk arriti tek ajo pasi anija që po e transportonte u sekuestrua nga Marina Mbretërore në vitin 1807.
Margretha Nonklett, shefe e etnologjisë në muzeun kombëtar të Ishujve Faroe, e pa pakon që po hapej në arkiv. Ajo e quajti tepër emocionues gjetjen dhe tha se ishte i një dizajni të rrallë, shkroi Guardian.
“Ka shumë pak copa si kjo dhe ne nuk kemi asnjë me këtë dizajn. Do të ketë qenë e punuar me dorë në shtëpi”, ka thënë Nonklett.
Në letrën që u gjet me të shkruhej: “Gruaja ime të dërgon të fala. Ajo i dërgon të fejuarës tënde këtë pulovër dhe shpreson se do t’i pëlqejë”.
Anija bartte edhe shumë gjëra të tjera, përfshirë rroba të tjera, peshk, qirinj, peshqirë, vaj e gjësende të tjera.