Në një vend të largët, në ishullin Kauai të Hawaiit, gjendet një tempull hindu i ndërtuar me gurë dhe gdhendur me dorë, i vetmi i llojit të tij.
Ky tempull është gjetur që moti, por vetëm tani po tërheq njerëz të besimeve dhe sferave të ndryshme të jetës.
Tempulli i Iraivanit lindi nga vizioni i një guruje apo mësuesi shpirtëror si dhe nga murgjit që praktikojnë Shaivizmin, një traditë kryesore e hindusëve që adhurojnë Shivain si qenien supreme.
Tempulli tërësisht i gdhendur me dorë nga graniti u ndërtua pa mjete ose energji elektrike. Ai ndodhet në ishullin e largët Kauai të Hawaiit dhe është i rrethuar nga hektarë pyjesh.
Sipas disa vlerësimeve, më pak se një për qind e 1.4 milionë banorëve të Hawaiit janë hindusë dhe në Kauai, numri i hindusëve mund të mos kalojë as shifrën prej 50 sosh.
Por kjo nuk i ka penguar dhjetëra murgj që jetojnë në kampusin Kauai Aadheenam që të jenë fqinjë të mirë dhe kujdestarë të traditës së besimit të tyre.
Ata mirëpresin pelegrinët dhe vizitorët nga e gjithë bota.
Në këtë kompleks tempull-manastir tërësisht mashkullor, murgjit studiojnë dhe meditojnë.
“Njerëzit e përshkruajnë atë si një paqe ose një lloj thelbi hyjnor. Dhe duket se është krijuar jo vetëm nga natyra këtu, toka, vendndodhja, ishulli i qetë, i bukur, por edhe nga tempujt dhe komuniteti këtu”, ka thënë Sanmyasin Tillainathaswami, murg.
Një tjetër murg, Paramacharya Sadasivanatha Palaniswami, ka kaluar dekada duke mbikëqyrur ndërtimin e tempullit dhe duke u kujdesur për kopshtet e tij.
Ai erdhi në komunitetin Hawaii në vitin 1968 me mësuesin e tij dhe themeluesin e qendrës, të ndjerin Satguru Sivaya.
Ai thotë se Tempulli i Iraivanit u frymëzua nga vizioni mistik i themeluesit Sivaya për Perëndinë Shiva të ulur në një gur të madh në këto themele.
Ndërtimi i tij filloi në vitin 1990 dhe vazhdoi pas vdekjes së themeluesit në vitin 2001.
Fjala “Iraivan” do të thotë “ai që adhurohet” në tamilisht, një gjuhë që flitet në Indinë jugore.
“Ne kishim sfida për ta bërë këtë punë me dorë, sepse një nga kërkesat e mësuesit tonë ishte që ky tempull të mos ndërtohej me mjete moderne, por të ndërtohej me aftësitë e skulptorëve të vjetër”, ka thënë Paramacharya Sadasivanatha Palaniswami, murg.
Vetëm murgjit meshkuj jetojnë në këtë pronë.
Murgjit, të cilët zotohen për beqari, jo dhunë dhe vegjetarianizëm, udhëhiqen dhe frymëzohen nga filozofia e Shaivizmit. Ata nuk flasin për jetën e tyre të mëparshme.
Kompleksi tempull-manastir është i hapur për publikun.