Sipas vlerësimit të bërë për 140 shtete në botë nga “The Economist Intelligence Unit” (EIU), qyteti më i jetueshëm në botë është Melbourne i Australisë.
EIU, e cila realizon analiza dhe parashikime ekonomike, duke e marrë parasysh indeksin e jetueshmërisë së 140 qyteteve të botës, i përcaktoi “qytetet më të jetueshme të botës”, transmetoon AA.
Në listën e përgatitur nga EIU, duke u marrë parasysh 30 tema të ndryshme, si qëndrueshmëria, siguria, infrastruktura, shëndetësia, kultura dhe arsimi, Melbourne mori pikë të plota në kategoritë shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë dhe u zgjodh qyteti më i jetueshëm i botës me 97.5 pikë prej 100.
Në renditje nuk ndryshuan 5 vendet e para
Melbournein, i cili që prej 7 vitesh është në vendin e parë të klasifikimit, e ndoqën Vjena (Austri) me 97.4 pikë, Vancouver (Kanada) me 97.3 pikë, Toronto (Kanada) 97.2 pikë dhe Adelaide (Australi) 96.6 pikë. Kështu që nuk ka ndryshuar renditja e 5 vendeve të para nga klasifikimi i vitit të kaluar.
Renditja e qyteteve në këtë listë është siç vijon: Calgary i Kanadasë me 96.6 pikë në vendin e gjashtë, Perth nga Australia me 95.9 pikë i shtati, Auckland nga Zelanda e Re me 95.7 në vendin e tetë, kryeqyteti i Finlandës, Helsinki me 95.6 i nënti dhe Hamburgu i Gjermanisë me 95 pikë në vendin e dhjetë.
Kryetari i Komunës së Melbourneit, Robert Doyle, në deklaratën e tij me shkrim, duke theksuar se me sukseset e arritura do të tërheqin investuesit dhe turistët në qytet, tha se indeksi i EIU është klasifikimi më i pranuar në botë.
“Kjo është një rekord botëror. Është një sukses me të cilin qytetarët e Melbourneit duhet të jenë krenarë. Duhet që të gjithë të jemi krenar nga puna që kemi bërë për të bërë Melbournein qytetin më të mirë të botës”, tha Doyle.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Zyrës Australiane për Statistika, me rritje të shpejtë të popullsisë, në vitin 2050, qyteti i dytë më i madh, Melbourne, pritet të tejkalojë Sydneyn dhe të renditet në vendin e parë.
Në këtë qytet, ku jetojnë banorë të rreth 200 kombësive të ndryshme, fliten 240 gjuhë të ndryshme.
Ndërsa 10 qytetet më pak të jetueshme janë: Kievi (Ukrainë), Douala (Kamerun), Harare (Zimbabve), Karachi (Pakistan), Algjeri (Algjeria), Port Moresby (Papa Guinea e Re), Dhaka (Bangladesh), Tripoli (Libi), Lagos (Nigeri), Damask (Siri).