Kuriozitet

Policët britanikë ndjekin me kuaj burrin që po përdorte telefonin duke vozitur

Dy oficerë policie në kuaj kanë ndjekur një burrë që e panë duke mbajtur celularin e tij teksa ngiste veturën.

Oficerët mbi kuaj janë vendosur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për të zvogëluar numrin e njerëzve që përdorin telefonin ndërsa janë në timon.

Në një video dy oficerë mbi kuaj mund të shihen duke ndjekur dhe ndaluar një shofer, shkroi Guardian.

Kur shoferi ndaloi në një rrugë oficeri i thotë: "Ti e di që nuk duhet ta përdorësh telefonin", dhe më pas përballet me gjobë.

Policia tha se burrit i ishte lëshuar një raport për kundërvajtje trafiku dhe do t'i jepej një gjobë prej 200 funte plus gjashtë pikë në licencën e tij, ose ai mund të zgjidhte ta çonte çështjen në gjykatë.

Që nga marsi i vitit 2022, është i paligjshëm përdorimi i një telefoni celular, tableti ose çdo pajisjeje që mund të dërgojë ose marrë të dhëna gjatë drejtimit të automjetit.