Shefi i një bujtine 158-vjeçare japoneze ka kërkuar falje për ndërrimin e ujit në banjën e saj të SPA-së vetëm dy herë në vit, pasi u zbulua se ishte i mbushur me baktere potencialisht vdekjeprurëse.
Një inspektim shëndetësor i onsenit, një banjë tradicionale japoneze që përdor ujë nga burimet e nxehta vullkanike, në bujtinën “Daimaru Besso” në Chikushino, zbuloi bakteret e legjionelës në nivelin 3,700 herë më shumë se ai i lejuar, raportoi TV Asahi, degë e CNN-it.
Sipas rregulloreve lokale, uji në onsen duhej të ndërrohej çdo javë. Por menaxhmenti i hotelit pranoi se ai ndërrohej vetëm dy herë në vit.
Në një konferencë për media të martën, Makoto Yamada, presidenti i kompanisë që zotëron bujtinën u përkul thellë dhe tha se i vinte keq për mungesën e veprimeve të ndërmarra.
Bakteret Legionella mund të shkaktojnë sëmundjen e Legjionarëve, një lloj i rëndë i pneumonisë. Njerëzit mund të sëmuren kur thithin pika të vogla uji që përmbajnë baktere, duke shkaktuar një infeksion në mushkëri.
Bakteret mund të ndodhen në kokat e dushit dhe rubinetat, vaskat e nxehta, kullat ftohëse, rezervuarët e ujit të nxehtë, burimet dekorative ose sistemet hidraulike në ndërtesa të mëdha.