Kuriozitet

Ylli me shkëlqim të pazakontë tërheq vëmendjen

Astronomët mund të kenë zgjidhur misterin pas një ylli jashtëzakonisht të shndritshëm.

Studenti i doktoratës në Universitetin e Uashingtonit, Anastasios Tzanidakis, dhe asistenti kërkimor i astronomisë James Davenport po kërkonin "yje që silleshin çuditërisht" kur morën një alarm për një çudi të mundshme yjore nga anija kozmike Gaia, shkroi CNN.

Observatori hapësinor, i nisur nga Agjencia Evropiane e Hapësirës më 2013, është në një mision për të krijuar hartën më të saktë 3D të galaktikës Rruga e Qumështit deri më tani. Astronomët u fokusuan në “Gaia17bpp”, një yll që ishte rritur gradualisht në shkëlqim gjatë një periudhe 2.5-vjeçare.

Rezultatet e hetimit dhe analizës së tyre të yllit, zbuluan se vetë ylli nuk ndryshoi. Në vend të kësaj, ylli ka një shoqërues të çuditshëm përgjegjës për atë që studiuesit vlerësojnë të jetë një "fotobombë shtatëvjeçare".

"Ne besojmë se ky yll është pjesë e një lloji jashtëzakonisht të rrallë të sistemit binar, midis një ylli të madh e të fryrë më të vjetër - Gaia17bpp - dhe një ylli të vogël shoqërues që është i rrethuar nga një disk i gjerë me material pluhuri", tha Tzanidakis në një deklaratë.

“Bazuar në analizën tonë, këto dy yje rrotullohen rreth njëri-tjetrit për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë kohore - deri në 1000 vjet.

Anija kozmike Gaia filloi të vëzhgonte yllin në vitin 2014. Studiuesit mblodhën së bashku të gjitha vëzhgimet e Gaias për yllin dhe gjurmuan vëzhgime të tjera të “Gaia17bpp”.