Kuriozitet

Vajza e zhdukur bashkohet me familjen pas 51 vjetëve

Një test i ADN-së ka ribashkuar një grua nga Teksasi me familjen e saj, pas një kërkese 51-vjeçare, duke i dhënë fund misterit të gjatë, raporton BBC.

Melissa Highsmith 53-vjeçare, ishte kidnapuar nga dado në vitin 1971, kur ishte vetëm 22-muajshe.

Kërkesat e gjata nga familja nuk sollën rezultat – derisa mostrat e ADN-së u dërguan në një uebfaqe që të tregon për prejardhjen.

E njohur si Melanie, Highsmith planifikon të ndryshojë tash emrin e saj.

Misteri për fatin e saj nisi në gusht të vitit 1971, kur nëna e saj Alta Apatenco, kishte angazhuar një dado nëpërmjet një reklame në gazetë lokale.

Dadoja, e dyshuar për kidnapim të foshnjës, premtoi se do të kujdesej për të.

Por, ajo u zhduk me foshnjën, dhe familja kishte kërkuar për gjysmë-shekulli fëmijën, ndërsa ishin aktivizuar edhe autoritetet federale.

Deri në shtator, familja po ndjektë një informatë se Melanie është parë në Karolinë Jugore.

Ndërsa kërkimi po vazhdonte, Highsmith – që njihej me emrin Melanie Walden – nuk ishte e vetëdijshme se dikush po e kërkonte. Fillimisht mendoi se ishte mashtrim, kur tentoi familja ta kontaktonte nëpërmjet Facebookut.

Por, rasti më në fund u zgjodh më 6 nëntor, kur një mostër e ADN-së e dërguar në faqen “23AndMe” bëri lidhjen. Ishte ndihma e një gjenealogu amator që ndihmoi në leximin e rezultateve.

“Zbulimi i Melissas ishte vetëm fal ADN-së. Jo për shkak të përfshirjes së policisë apo FBI-së, apo edhe nga hetimet private të familjes sonë”, ka shkruar familja në Facebook.

Melanie është takuar me prindërit e saj biologjik më 26 nëntor.

Në Facebook, familja ka treguar se janë bërë teste tjera zyrtare dhe të ligjshme të ADN-së dhe po “presin konfirmimin zyrtar”.

“Është shumë emocionale, por në të njëjtën kohë një ndjenjë e mrekullueshme”, ka thënë Melanie Highsmith.

Nëna e saj, Apatenco, ka thënë se nuk mund të besojë se e ka gjetur vajzën.

“Kurrë s’kam menduar se do ta shoh sërish atë”, ka thënë Apatenco.