Dy yje të ndërthurur po krijojnë atë që duket si një "gjurmë gishti" në hapësirë. NASA publikoi një foto të bërë nga teleskopi hapësinor James Webb, i cili tregon të paktën 17 unaza që rrethojnë yjet.
Yjet e njohur si “Wolf-Rayet 140” janë të vendosur 5.000 vjet dritë larg nga Toka, ka thënë NASA. Secila unazë është formuar ndërsa dy yjet janë afruar me njëri-tjetrin përgjatë orbitës së tyre.
Secila unazë merr rreth tetë vjet për t’u formuar, shkroi CBSNews.
NASA zbuloi se yjet janë afër fundit të jetesës së tyre, që do të shkaktojë përplasjen e tyre dhe formimin e një vrime të zezë.
Astronomët besojnë gjithashtu se erërat që vinin nga yjet fshinë zonën përreth nga çdo mbeturinë që mund të njolloste unazat, dhe kjo është arsyeja pse ato mund të shihen kaq qartë nga teleskopi.
NASA tha se ka gjasa të ketë pasur edhe më shumë unaza përreth yjeve, por që janë zbehur dhe që as teleskopi nuk mund t’i dallojë.