Mbetjet e një prej koleksioneve më të mëdha aristokratike në Hungari, të shkatërruara gjatë muajve të fundit, të Luftës së Dytë Botërore janë ekspozuar për publikun.
“Esterhazy Artefacts”, të cilat u gjetën në një pallat të bombarduar në vitin 1945, po restaurohen ngadalë, por është hera e parë që mbetjet e dëmtuara shfaqen.
Në 150-vjetorin e Muzeut të Arteve të Aplikuara, në Budapest po zhvillohet një ekspozitë e veçantë, por e zymtë.
“Esterhazy Artefacts” u gjetën në një pallat të bombarduar pasi u dëmtuan gjatë rrethimit të Budapestit, në janar të vitit 1945. Tani ato po shfaqen për vizitorët. “Fatkeqësisht, lufta është një çështje e tillë tani”, shpjegon Zoltan Cselovszki, drejtor i Muzeut të Arteve të Aplikuara. “Në këtë kontekst na ra në mendje se kemi një koleksion artefaktesh, të cilat nga njëra anë përcaktojnë identitetin e muzeut tonë dhe nga ana tjetër janë shkatërruar thuajse tërësisht, në rrethimin e Kalasë së Budës, në Luftën e Dytë Botërore”.
Thesari i Esterhazit, i krijuar në epokën e luftërave osmane, shtohej dhe pasurohej vazhdimisht që nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë e në vazhdim përmes dhuratave diplomatike, prikave dhe akteve të patronazhit.
Për shekuj me radhë, thesari ishte vendosur në kështjellën e Forchtensteinit, në atë që atëherë ishte Hungaria perëndimore, e ndërtuar mbi një shkëmb dhe shumë larg nga tokat e pushtuara nga turqit dhe nga fushatat ushtarake.