Kuriozitet

Gruaja ndihet “e çnjerëzuar” pasi u postua në TikTok kur i dhurohet një buqetë lule

Një grua në Melbourne ka thënë se ndjehet “e çnjerëzuar” pasi u xhirua pa pëlqimin e saj për “një akt të rastësishëm mirësie” në TikTok që u bë viral.

Videoja është bërë nga Harrison Pawluk i cili i afrohet gruas, Maree, në një qendër tregtare. Ai i kërkon ta mbajë buqetën me lule derisa ta veshë xhaketën.

Para se Maree të mund t’ia kthejë buqetën, Pawluk i uron ditë të mirë dhe ecën. Reagimi befasues i Marees u kap në kamerë.

Videoja tani ka mbi 59 milionë shikime dhe 11 milionë pëlqime, shkroi të enjten The Guardian.

Paëluk e publikoi videon në TikTok me mbishkrimin: “Shpresoj se kjo ia bëri ditën më të mirë”, duke marrë edhe shumë komente mbështetëse.

Megjithatë, Maree u tregua cinike për qëllimin e Pawlukut pasi e pa videon e postuar.

“Këto gjëra artificiale nuk janë veprime të rastësishme mirësie”, tha ajo.

“Ai ma prishi qetësinë, më xhiroi dhe e postoi videon pa pëlqimin tim, duke e shndërruar në diçka që s’ishte... ndjej se ai po bën mjaft para përmes saj”.

Ajo tha se e kishte pyetur nëse po xhirohej dhe se i ishte thënë se “jo”. Ajo tha se ia kishte kthyer edhe lulet Pawlukut.

Kur fillimisht e pa videon, Maree nuk mendoi shumë për të. Por, pasi e pa videon e shpërndarë edhe në media duke e përshkruar si “gruaja e moshuar” me “tregimin zemërthyer”, ajo tha se u ndje “e çnjerëzuar”.

“U ndjeva si karrem për klikime”.

Image