Kuriozitet

Dielli nuk perëndon kurrë në kozmos

Solar Power Satellites (SPS) do të thithin energjinë e diellit dhe do ta dërgojnë në mënyrë të sigurt në një pikë fikse në tokë. Secili SPS mund të gjenerojë më shumë se 3 gigavatë (GW) energji elektrike.

Një pengesë e madhe për teknologjitë e energjisë së ripërtërishme është që nuk ofrojnë furnizim të vazhdueshëm me energji. Fermat solare dhe të erës prodhojnë energji vetëm kur fryn era ose kur ka rreze të diellit. Një zgjidhje e mundshme do të ishte të kapet energjia solare në kozmos.

E marrë si mesatare për tërë planetin, sasia e rrezeve të diellit që arrijnë në majën e atmosferës së Tokës llogaritet në afërsisht 340 vatë për metër katror. Panelet tipike thithin rrezet e diellit vetëm 29 për qind për shkak të cikleve të ditës dhe natës, pozicionimit dhe motit.

Sikur të mund t’i vendosnim panelet solare në Orbitën Gjeostacionare të Tokës (Geostationary Earth Orbit – GEO, e cila gjendet 35.786 km larg Tokës), rrezet e diellit do të mund të arrinin 1.358 vatë për metër katrorë.

Një Stacion Solar i Energjisë i tillë (SPS - solar power station) si SPS-Alpha mund të mbulojë 28 milionë metra katrorë – sa rreth 3.920 fusha futbolli. Përdorimi i njësive të lehta modulare po ashtu do të ishte kritik, pasi që shpenzimi më i madh do të jetë kostoja e lansimit të stacionit në kozmos. Dizajni modular po ashtu nënkupton që robotët mund ta montojnë satelitin në GEO.

SPS-Alpha, i dizajnuar nga amerikani John Mankins do të shndërronte energjinë elektrike nga panelet solare në energji mikrovalore dhe do ta transmetonte atë tek antena në sipërfaqen e tokës.

Antena më pas do t’i shndërronte valët sërish në energji elektrike. SPS-Alpha do të sillte dy gigavatë energji në rrjetin e tokës – ekuivalente të një reaktori nuklear që prodhon energji elektrike. Për të prodhuar kaq shumë energji me panelet solare në tokë do t’ju nevojiteshin më shumë se gjashtë milionë panele.

Stacione solare të energjisë në kozmos sipas gjasave do të bëhen realitet brenda disa dekadave.

Burimet:
Incoming Sunlight (NASA Earth Observatory)
UK government considers space-based solar power (Solar Power Portal)
Report for UK government shows feasibility of space solar power (Frazer-Nash )
SPS-ALPHA: The First Practical Solar Power Satellite via Arbitrarily Large Phased Array (NASA)