Kuriozitet

Rrëfimi i kontrabandistit që fiton 100 mijë dollarë në vit

Trafikantët e njerëzve janë duke përfituar me të madhe nga dëshpërimi i madh i refugjatëve që dëshirojnë kalimin në Evropë. Madje, nuk shqetësohen fare për jetët e tyre.

Transmetuesi britanik “Sky” ka realizuar një intervistë me një trafikues njerëzish në Irbil të Irakut. Ai pretendon se fiton 100 mijë dollarë në vit si pjesë e rrjetit kriminal.

Thotë se biznesi nuk po ndalet.

“Biznesi nuk po ndalet. Edhe më shumë njerëz duan të shkojnë, por tani nuk munden shkaku se nuk ka viza të Bjellorusisë”.

Tregon edhe rrugën ilegale.

“I tubojmë dhe i transferojmë njerëzit në Britani përmes Dunkirkut. Atje i vendosim në gomone. Zakonisht janë për pesë persona, por i forcojë ato me litarë metali dhe me një motor, me qëllim që të mund të zërë 15 deri në 20 persona”.

Së paku 31 refugjatë që tentuan kalimin në Britani vdiqën të mërkurën kur anija e tyre u fundos në Kanalin Anglez.

Katër trafikantë u arrestuan nën dyshimin se fundosën anijen.

Familja Mahmoud që përjetoi keqtrajtimet nga trafikantët, tregon për tmerrin.

“Kur shkuam në Bjellorusi, nuk kishim para për të blerë ushqim. Trafikanti na tha se nuk ka para për ne. I thashë se duam të kthehemi në shtëpi, por na tha se ‘nuk mund të ktheheni, kam shpenzuar para për ju, bëni çfarë të doni’. Na trajtoi si kafshë”.

Për krejt rrugëtimin, familja shpenzoi 30 mijë dollarë.

Familja u kap nga autoritetet polake pasi kaloi kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë. Janë kthyer në Irak.

E pyetur nga gazetari nëse do t’ia mësynin përsëri Evropës, nëna thotë se nuk ka të ardhme në Irak.

“Nëse do të kishim para do të shkonim, sepse këtu nuk ka jetë dhe nuk ka të ardhme. Nuk kemi para dhe kemi humbur gjithçka”.

Në kufirin lindor të BE-së, vazhdojnë të qëndrojnë me qindra njerëz nga Lindja e Mesme.

BE-ja ka akuzuar Bjellorusinë se po përdor refugjatët për ta destabilizuar Evropën si shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve ekonomike.