Kuriozitet

Hajduti në Egjipt arrestohet pasi shfaqi fytyrën në transmetim direkt gjatë vjedhjes

Përdoruesit e rrjeteve sociale në Egjipt e kanë quajtur një hajdut që e shfaqi fytyrën e tij në lidhje direkte derisa po vidhte një telefon nga një gazetar si “hajduti më i lezetshëm në Egjipt”, shkruan BBC.

Mahmoud Ragheb, një reporter i faqes së lajmeve “Youm7”, po transmetonte drejtpërdrejt një raport në mediat sociale, kur hajduti kaloi me motoçikletë dhe ia kapi telefonin.

Në transmetim më pas u shfaq fytyra e hajdutit të ri, ndërsa ai u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke tymosur një cigare.

Policia e arrestoi më pas hajdutin.

Sipas Youm7, incidenti ndodhi në një urë në qytetin e katërt më të madh në Egjipt, Shubra Al-Khaimah, ku Ragheb po raportonte për pasojat e një tërmeti 6.2 ballë që dridhi disa pjesë të Egjiptit.

Ragheb ishte duke filmuar urën kur telefonin ia rrëmbeu hajduti nga dora. Pasi kamera ndaloi së dridhuri, aty u shfaq fytyra e një të riu që po pinte cigare dhe kontrollonte me nervozizëm pas tij për të parë nëse dikush po e ndiqte.

Në rrjete sociale janë tallur me hajdutin. Një përdorues tha se “po vdiste nga e qeshura”, ndërsa një tjetër shkroi “e gjithë bota po të shikon ty”.

Më tepër se 20 mijë persona shikuan lidhjen direkte, kur ndodhi vjedhja. Videoja që nga atëherë është shikuar 6.2 milionë herë dhe ka pasur mbi 45 mijë komente në më pak se 24 orë.

Hajduti u kap lehtësisht. Ministria e Brendshme ka thënë se hajduti është një i papunë dhe se ia kishte shitur telefonin një tregtari.