Rasti i një gruaje që gjeti një gisht njeriu brenda hamburgerit që kishte blerë në dyqan të ushqimit të shpejtë në qytetin e Bolivisë, Santa Cruz, ka ndezur polemika të forta në këtë vend, ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim, kanë raportuar mediat lokale, përcjell “Market Research Telecast”.
Sipas ankesës së bërë të dielën, ngjarja ndodhi në një pikë të zinxhirit të restoranteve Hot Burger. Gruaja tha se pasi hëngri disa kafshata, ndjeu diçka të fortë në gojën e saj dhe u befasua në mënyrë të pakëndshme kur kuptoi se ishte një gisht njeriu.
Më vonë, Policia konfirmoi historinë dhe mbylli përkohësisht lokalin për të kryer hetime për rastin që e ka klasifikuar si “sulm kundër shëndetit publik”. Sipas dëshmive të mbledhura, ditë më parë një punonjës i këtij zinxhiri kishte pësuar një aksident duke punuar në përpunimin e mishit, duke i humbur dy gishtërinj.
“Gjithçka tregon se punonjësi që drejtonte atë makinë për bluarjen e mishit ndoshta humbi dy gishta. Njëri prej tyre është shfaqur në një hamburger, por nuk dihet se çfarë ndodhi me tjetrin”, tha zv.ministri për Mbrojtjes së Konsumatorit në Qeverinë e Bolivisë, Jorge Silva.
Nuk përjashtohet mundësia që pjesa e gishtit tjetër të prerë të jetë shpërndarë me mishin në pikat tjera të këtij zinxhiri.
Ndërkohë, kompania tha se përballë "incidentit të rastësishëm" që përfshiu një nga punonjësit e saj, protokollet e saj të urgjencës janë aktivizuar, duke i dhënë përparësi shëndetit të punëtorit, i cili aktualisht po shërohet.
Për më tepër, kompania siguroi se ka filluar një hetim të brendshëm dhe se po bashkëpunon me autoritetet.