Kuriozitet

Raporti amerikan për UFO-t hyn aty ku askush më parë nuk ka hyrë

Një task-forcë do t’i ndajë para Kongresit amerikan të dhënat e mbledhura për fenomenet e pazakonta fluturuese. Entuziastët e UFO-ve janë gëzuar. Por, një ekspert gjerman që ka studiuar çështjen për dekada me radhë nuk beson se jashtëtokësorët kanë qenë vërtet ndonjëherë në Tokë

Nëse jeni të interesuar për UFO-t (objektet e paidentifikueshme fluturuese) dhe keni menduar gjithmonë se çfarë saktësisht dinë për ta Qeveria dhe Inteligjenca amerikane, qershori i vitit 2021 mund të jetë muaj i madh.

Një task-forcë rreth fenomeneve të paidentifikueshme ajrore, grup që vepron përbrenda Departamentit amerikan të Mbrojtjes, do ta prezantojë një raport të paklasifikuar para Kongresit këtë muaj, raport që shpalos të dhënat e mbledhura nga zyrtarët e Pentagonit për fenomenet ajrore të paidentifikueshme.

Transmetuesi gjerman “Deutsche Welle” ka shkruar se edhe publiku do të mund t’i dëgjojë të rejat (ndonëse pak më vonë pas prezantimit në Kongres).

“Dëshmitë e dokumentuara, të mbledhura nga ushtria”

Avi Loeb, profesor në Universitetin e Harvardit dhe drejtor i Institutit për Teori dhe Kompjuterizëm, ka treguar për DW-në se çfarë e bën këtë gjë moment kaq historik.

“Ky raport i ri dallon nga diskutimet e së kaluarës në lidhje me UFO-t, pasi që ka përfshirë dëshmi të dokumentuara që janë mbledhur nga personeli ushtarak, bazuar në vrojtimet e bëra me instrumente të shumta (radarë, kamera me rreze infra të kuqe, kamera optike)”, ka thënë Loeb.

Informatat e paraqitura në raport ka shumë të ngjarë të tregojnë për “ekzistencën e mundshme të objekteve që sillen në mënyra që nuk mund të shpjegohen nga teknologjitë që kemi”.

Pse raporti po publikohet tani?

Nuk është e rastësishme që anëtarët e Kongresit do të marrin më shumë të dhëna për fenomenet ajrore të paidentifikueshme (FAP) këtë muaj. Një raport i hollësishëm nga Task-forca e FAP-së ishte kërkesë në pakon e shpenzimeve prej 1.8 miliardë eurosh që Kongresi e kishte kaluar në dhjetor të 2020-s.

Brenda gjashtë muajsh legjislacioni u përcaktua. Departamenti i Mbrojtjes dhe Zyra e Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare do të duhej ta prezantonin “analizën e hollësishme të të dhënave të fenomeneve të paidentifikueshme ajrore”, ka shkruar DW.

Në prillin e vitit 2020, Departamenti i Mbrojtjes kishte publikuar zyrtarisht tri video të realizuara nga pilotët ushtarakë që ishin zbuluar vite më parë. Në incizime shiheshin objekte që silleshin në qiell në një mënyrë të çuditshme.

Departamenti i Mbrojtjes e ka konfirmuar autenticitetin e videove, vite pasi entuziastët e UFO-ve tashmë e kishin analizuar çdo sekondë të videove “në mënyrë që ta sqarojnë çfarëdo keqkuptimi nga publiku rreth asaj se a ishin të vërteta apo jo videot që po qarkullonin, apo nëse kishte më shumë të tilla”, thuhet në komunikatën për shtyp të lëshuar nga Pentagoni. “Fenomeni ajror që ishte kapur në video ende karakterizohet si ‘i paidentifikueshëm’”.

Pa të përbashkëta në UFO-t e raportuar

Pas më pak se katër muajsh, Task-forca e fenomeneve të paidentifikueshme ajrore ishte krijuar – dhe tani studiuesit do t’i paraqesin zbulimet e tyre në Kongres.

Profesori i Harvardit, Loeb, që në fillim të këtij viti ka publikuar librin “Extraterrestrial: The First Sign of Intelligent Life Beyond Earth”, ka thënë se ripublikimi i videove nga ushtria nuk mjafton dhe se zyrtarët duhet të kërkojnë vazhdimisht dëshmi të reja.

“Në vend se të deklasifikohen dokumentet që reflektojnë teknologjinë e vjetër që përdoret nga dëshmitarët, pa ekspertizë shkencore, do të ishte shumë më mirë që të përdoren pajisje xhiruese më të reja, në rrjetet nga kanë ardhur raportet, dhe të hulumtohet për sinjalet e pazakonta”, ka thënë Loeb për DW-në, duke iu përgjigjur pyetjeve të redaksisë me anë të postës elektronike.

Image