Një grup diplomatësh rusë dhe familjarët e tyre u larguan në mënyrë të pazakontë nga Koreja e Veriut. Ata përdorën një karrocë hekuri duke e shtyrë me dorë për shkak të masave strikte anti-COVID.
Për shkak të masave të rrepta, diplomatët mbetën pa zgjidhje tjetër, përveçse të përdornin karrocën e vogël
“Meqenëse kufijtë janë të mbyllur për më shumë se një vit dhe trafiku i udhëtarëve është ndaluar, u desh një udhëtim i gjatë dhe i vështirë për të arritur në shtëpi”, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme ruse në Facebook.
Pamjet e publikuara shfaqin zyrtarët që po largoheshin nga Koreja e Veriut me valixhet e tyre. Ata shiheshin duke brohoritur në rrugën për në Rusi.
“Sekretari i tretë i ambasadës, Vladislav Sorokin ishte ‘motori’ i karrocës, i cili shtyu atë përtej urës hekurudhore mbi lumin Tumen në Rusi”, është thënë nga diplomatët rusë.
Me të kaluar territorin verikorean, diplomatët i priti autobusi i cili i shpiu në aeroportin e Vladivostokut.