Kuriozitet

Qyteti i vendlindjes së Melanias shpreson të vazhdojë t’ia shohë hairin Zonjës së Parë

Foto: Reuters

Tortë Melanija zë vendin kryesor në një pastiçeri të ngjitur te hoteli i vetëm në Sevnica të Sllovenisë. Me ngjyrë ari e me çokollatë të bardhë, ajo është e dedikuar për nder të vajzës më të njohur të qytetit, Melania Trump.

Për katër vjet, njerëzit kanë shfrytëzuar emrin e saj për të promovuar produktet kryesore. Por tani që administrata Trump po hyn në fazën e fundit, ka edhe një ndjenjë të fundit të një epoke edhe për Sevnicën, shkruan BBC.

“Donim që torta të ishte elegante, t’i ngjante Melanias – me ar, për shkak të Trumpëve, dhe e bardhë për shkak të Shtëpisë së Bardhë”, ka thënë Nusa Vidmar, pronare e pastiçerisë.

Image

Ajo përmban edhe arra, që ishte përbërës sezonal i kohës kur Melania u bë Zonja e Parë në janar të 2017-s.

“Në pastiçerinë tonë kemi njerëz nga e gjithë bota. Të gjithë e kanë provuar tortë Melanijan, por mendoj se s’kanë ardhur vetëm për tortën. Ishte diçka e madhe për ne, e madhe për Slloveninë. Ishte moment historik dhe nuk mendoj se do të kemi diçka të tillë më”, ka shtuar pronarja.

Sevnica, qytezë prej 5000 banorësh, ka edhe statujë në nderim të Melanias. E para ishte djegur gjatë verës, ndërsa në qytet tashmë është një version i dytë.

Image

Në këtë vend ka edhe verëra me emrin e Melanias.

Sreçko Ocvirk, kryetar i komunës, ka thënë se komuniteti ka besim më të madh për të promovuar Sevnicën në botë, falë bujës që ka pasur që nga shpallja e Melanias Zonjë e Parë.

“Sevnica s’është destinacion tradicional turistik. Por ajo që ndodhi katër vjet më parë pati efekt shumë të mirë në njohjen e qytetit. Kjo ka bashkuar njerëzit dhe ka nxitur bizneset të bashkohen e të bashkëpunojnë”, ka thënë ai.

Pavarësisht se Trumpi duket se po largohet nga Shtëpia e Bardhë, Sevnica ka vendosur të vazhdojë të ofrojë produktet e shumta që e lidhin me Zonjën e Parë me shpresën se qyteti do të ruajë famën.