Të shtunën që nga mëngjesi pritet të fillojë kremtimi i Halloweenit. Maskat e kostumet do të jenë prezente te fëmijët që nga e premtja nëpër kopshte. Por kujdes e ndërgjegje për të mos i dëmtuar autobusët po kërkohet edhe nga shitësit, edhe nga autolarja e autobusëve, që i vështirësohet puna shumë për Halloween. Detajet i ndjekim në vazhdim.
Në kopshte si ky, çdo 31 tetor ka fëmijë të shumtë me maska, kostume, grime shumëngjyrëshe ose të errëta për ta shënuar Halloweenin apo natën e shtrigave. Por, derisa kopshtet nuk i festojnë zyrtarisht, prindërit kanë mendime të ndryshme për shënimin tij e nga fëmijët.
Ndërsa, fakti se Halloweeni është tashmë festë edhe në Kosovë e dëshmon shumëllojshmëria e artikujve që shiten për këtë festë. Adem Mustafa, menaxher në njërën nga marketet që ofron artikuj të tillë thotë se ka interesim të madh nga prindërit me fëmijët e tyre, por edhe të rriturit, transmeton KOHA.
Sipas Mustafës, ka edhe trendë të rinj të kostumeve e maskave.
Maskat, sipas tij, po preferohen sa më të frikshme, ndërsa trend i ri është që edhe prindërit t’i përshtaten atmosferës së Halloweenit.
Sipas Mustafës, të gjithë këta artikuj e ndërtojnë një festim të dinjitetshëm të kësaj feste dhe të gjithë janë më të mirë sesa hedhja me vezë.
Më së shumti me pasojat e hedhjes me vezë përballen autobusët. Ata të “Trafikut Urban” goditen nga qindra vezë nga fëmijët e adoleshentët.
Këta autobusë, që pastrohen për çdo natë e dezinfektohen kohë pas kohe, nuk shihen nga vezët.
Se 31 tetori është nata më e vështirë për pastrimin e autobusëve e konfirmon edhe udhëheqësi i autolarjes së “Trafikut Urban”, Blerim Ahmeti.
Sipas tij, goditjet me vezë bëjnë që autobusët të kundërmojnë, andaj pastrimi bëhet shumë më i vështirë, pasi që kundërmimi i vezëve kërkon më shumë punë.
Përveç veshjes së kostumeve, fëmijët në këtë datë vizitojnë shtëpitë e lagjes duke kërkuar karamele apo siç njihet ndryshe “trick or Treat”.