Kuriozitet

Në SHBA sekuestrohen monolite të Ikomit

Doganat amerikane njoftuan se kanë sekuestruar në aeroportin e Miamit gurë të gdhendur antikë që vinin nga Kameruni, të njohur me emrin monolitet e Ikomit, që mbërritën në SHBA duke u përdorur dokumente të falsifikuara.

“Sipas ekspertëve, këta gurë janë gdhendur rreth 200 dhe 1.000 vjet para Jezu Krishtit”, thuhet në një komunikatë të Shërbimit të doganave dhe për mbrojtjen e kufijve të SHBA-së (CBP).

Doganat nuk dhanë detaje se sa gurë, thesare të vërteta arkeologjike, ishin sekuestruar, por theksuan se ato do të ridërgohen në Kamerun.

Monolitet e Ikomit vijnë nga një rajon i qytetit Ikom, në jug të Nigerisë, në kufi me Kamerunin.

Sipas UNESCO-s, këto monolite të gdhendura guri vullkanik kanë një formë shkrimi dhe një sistem kompleks të informacioneve të koduara dhe secili gur, si një gjurmë gishtash, është unik.

“Ky sekuestrim është “shembulli i fundit” i përpjekjeve të bëra për të zbatuar ligjet ndërkombëtare mbi riatdhesimin e objekteve antike”, theksoi Robert Del Toro, zyrtar doganor në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit. \ ATSH