Kuriozitet

Rekord shpejtësie me shportë mbeturinash

Dy rekorde të pazakonshme botërore të shpejtësisë janë thyer në Angli.

Njëra me shportë të motorizuar mbeturinash dhe tjetra me karrige elektrike të hendikepuarish.

Pjesëmarrësit garuan në një pistë aeroplanësh në Elvington, në verilindje të Anglisë, dhe arritën që shpejtësitë e tyre t’i vendosin në librin e rekordeve botërore “Guinness”.

Andy Jennings shënoi rekord me shportë mbeturinash, me të cilën ai e arriti shpejtësi prej mbi 69.2 kilometrash në orë. Për motorizimin e shportës ai përdori motorin e një motoçiklete dhe pjesë të një skuteri.
Ndërkaq me karrige elektrike të hendikepuarish, Jason Liversdige arriti shpejtësi prej afro 108 kilometrash në orë, duke e thyer rekordin e mëhershëm prej 100 kilometrash në orë.
Garuesit e tjerë nuk ishin aq fatlumë – përpjekja e ngasësit të një karroce dore me motor për ta kaluar shpejtësinë bazë prej 68.4 kilometrash në orë ende nuk është verifikuar nga Rekordet Botërore Guinness.