Kuriozitet

Gjermania mbjell drurë të Mesdheut për gjallërimin e pyjeve

Descriptive Text

Shkencëtarët gjermanë janë duke eksperimentuar me mbjelljen e bimëve nga Mesdheu nëpër pyjet gjermane për t’i ndihmuar ato që t’u mbijetojnë ndryshimeve klimatike.

Nxehtësia e madhe e vitit dhe shirat e paktë janë duke e dëmtuar pyllin gjerman.

Shumë shpejt pishat dhe lisat do të kenë vështirësi me kushtet e ndryshueshme klimatike.

Me ndryshime klimatike do të thotë temperatura të larta dhe thatësi. Këto të dyja do të jenë gjë e zakonshme gjatë viteve të ardhshme.

Wolfgang Bruggemann nga Universiteti i Gothe po u prin hulumtuesve që dëshirojnë të mbajnë gjallë pyjet gjermane.

“Këto pyje janë dëmtuar rëndë nga thatësia dhe efektet e ndryshimeve klimatike. Presim që situata të tilla të ndodhin më shpesh në të ardhmen. Për mbikëqyrësit e pyjeve është e rëndësishme që të mbillen drurë që mund t’i rezistojnë klimës gjatë 100 vjetëve të ardhshëm”.

Ai ka thënë se Gjermania duhet të fillojë me mbjelljen e drurëve, që mund ta përballojnë të nxehtit. Vlerëson se pas 100 vjetësh, Gjermania do të duket pak a shumë si jugu francez i ditëve të sotme.

Në pyllin e Frankfurtit me sukses janë mbjellë lisa që zakonisht rriten në Mesdhe dhe në jug të Francës.

“Ky lloj i drurit gjendet në veri të Mesdheut. Me këtë kemi pasur më së shumti sukses. Në nëntë vjetët e fundit janë rritur deri në katër metra dhe u kanë mbijetuar verërave të thata të viteve 2018, 2019 dhe 2020”.

Lisi i Mesdheut ka lidhje të afërta me atë gjerman dhe mund të ndihmojë të përmbushë rolin e tij në ekosistem, dhe mund të shërbejë si shtëpi e më shumë se 100 specieve të insekteve.

Ani pse vera e vitit 2020 nuk ka qenë e thatë sa pritej, ndryshimi i shpeshtë i temperaturave ka shkaktuar dëme të mëdha në Gjermani.

Qyteti i Berlinit ka njoftuar se shkaku i motit ekstrem, përfshirë stuhinë dhe përmbytjet, në vitin 2019 ishin 7 mijë drurë më pak sesa në vitin 2016.