Kuriozitet

Ëndrrat, si çelësi drejt sekreteve më të thella njerëzore

Ëndrrat tregojnë më shumë për ne sesa që kemi menduar, por jodomosdo edhe atë që e prisnim.

Interpretues të ndryshëm të ëndrrave na thonë se ëndrra është simbol i shqetësimeve në punë, ndjenjës së turpit apo aspiratave të fshehura ekzibicioniste.

Me gjithë faktin se ëndrrat e ofrojnë një vështrim në jetën tonë të përditshme, nuk ka asnjë hulumtim për ta mbështetur tezën se ëndrrat janë përfaqësim i disa prej sekreteve të pazbuluara të mendjes sonë.

Çfarë thoshte Sigmund Freudi

Që nga kohërat e lashta qeniet njerëzore janë përpjekur t’i kuptojnë kuptimet simbolike të ëndrrave. Mesopotamasit dhe egjiptianët e lashtë i konsideronin ato mesazhe të hyjnive.

Grekët dhe romakët përpiqeshin ta parashikonin të ardhmen me anë të tyre. Megjithatë, besimi që ëndrrat i tregojnë sekretet e fshehura të mendjeve tona daton qysh në shekullin 19.

Kjo tezë u ngrit nga krijuesi i psikoanalizës Sigmund Freud, i cili supozoi se ëndrrat e fshehin dëshirën e frenuar.

Falë hulumtimeve të kryera që nga ajo kohë, sot jemi të vetëdijshëm që ëndrrat nuk e mbartin asnjë mesazh enigmatik, porse bëhet fjalë për një proces të ngjashëm me mendimet që priremi t’i kemi gjatë ditës.

Kjo nuk do të thotë që ëndrrat nuk e kanë asnjë kuptim. Ekspertët besojnë se në ëndërr i përpunojmë të njëjtat interesime, kujtime dhe shqetësime, me të cilat jemi të preokupuar gjatë gjithë ditës.

“Fantazojmë, mendojmë për frikën tonë, për jetën tonë shoqërore dhe për të dashurit tanë”, thotë për “Live Science”, Deirdre Barrett, psikologe në Shkollën Mjekësore në Harvard, e cila merret me studimin e ëndrrave.

Përmes ëndrrave, ne hyjmë në një botë që funksionon ndryshe nga realiteti.

Prandaj, mund të konkludohet se ëndrrat janë një zgjatje e vetëdijes sonë. Hulumtimet tregojnë se veprimet e ëndrrave tona janë shpesh disa situata të përditshme, jo filma aksion.

Edhe pse vetë akti i ëndërrimit është i ngjashëm me aktin e të menduarit, funksionet e trurit janë mjaft të ndryshme gjatë gjumit.

"Truri ynë funksionon në një gjendje të ndryshme biokimike kur flemë", shpjegon Barrett.

Disa pjesë të trurit tonë bëhen më pak aktivë, ndërsa puna e të tjerëve bëhet më intensive. Për shembull, korteksi vizual sekondar (asociativ), pjesa e trurit ku përpunohen imazhet, bëhet shumë më aktiv. Falë tij, ëndrrat tona janë aq të gjalla. Nga ana tjetër, korteksi parafrontal, me të cilin ne i filtrojmë mendimet tona, zvogëlohet.

Si të interpretohen ato që ëndërrohen?

Deirdre Barrett pohon se nuk ekziston formula përmes së cilës mund t’i interpretojmë ëndrrat. Megjithatë, ato sigurisht që e përfaqësojnë një dritare në proceset e mendjes sonë në gjendjen e ëndrrave. Njeriu, megjithatë, e kalon madje një të tretën e jetës së tij duke fjetur, dhe kjo është me të vërtetë një pjesë e madhe e tërë jetës sonë.

Në këtë kuptim, Freudi kishte të drejtë, konsideron Barrett, duke shtuar se ai na njoftoi me idenë se ëndrrat e mbartin një kuptim. Ato na njoftojnë më ngushtë me vetveten.