Kuriozitet

Triptiku i Baconit shitet për 85 milionë dollarë

Nju Jork, 30 qershor – Një triptik i Francis Baconit u shit për gati 85 milionë dollarë në një ankand në internet.

”Shitja u bë pas një ‘lufte’ 10-minutëshe nga dy blerës, një në internet dhe një tjetër që jepte ofertat përmes telefonit”, tha shtëpia e ankandeve ”Sotheby’s”.

Ofertuesi i telefonit, i cili mbeti anonim, përfundimisht fitoi ankandin me një ofertë prej 84,6 milionë dollarësh, transmeton atsh raportimin e agjencive.

Shtëpia e ankandit kishte vlerësuar se çmimi do të shkonte deri në 60 milionë dollarë.

Frymëzuar nga ”Orestia”, një trilogji e Eskilit, pjesa e Baconit e vitit 1981 u ble nga koleksionisti norvegjez Hans Rasmus Astrup në 1984 dhe ka qenë pjesë e muzeut të tij që nga ajo kohë.

Triptiku i frymëzuar nga Eskili është një nga 28 veprat që Baconi prodhoi midis 1962 dhe 1991.

Baconi vdiq në vitin 1992/DPA.