Kuriozitet

Majmunët në Indi vjedhin mostrat e gjakut të të infektuarve me koronavirus

Foto: Reuters

Një grup majmunësh në Indi ka sulmuar një zyrtar mjekësor dhe ka marrë mostra të gjakut të pacientëve që kishin rezultuar pozitivë për koronavirus, kanë bërë të ditur autoritetet të premten.

Sulmi ka ndodhur më herët gjatë javës kur një teknik laboratori ishte duke ecur në kampusin e një kolegji shtetëror mjekësor në Meerut.

“Majmunët morën dhe ikën me mostrat e gjakut të katër pacientëve që po trajtohen... duhet të marrim sërish mostra të gjakut të tyre”, ka thënë Dr. S.K. Garg, një zyrtar i kolegjit, për “Reuters”.

Autoritetet kanë thënë se nuk ishte e qartë nëse majmunët i kanë derdhur mostrat e gjakut, por njerëzit që jetojnë afër kampusit kanë shprehur shqetësimin se mos virusi mund të zgjerohet, nëse majmunët e bartin gjakun nëpër hapësirat e banueshme.

Garg ka thënë se nuk dihet nëse majmunët mund të marrin virusin nëse bien në kontakt me gjakun e të të infektuarve.

Deri tash në Indi janë regjistruar 165 mijë raste me infeksion e 4706 vdekje.