Kuriozitet

Turkmenistani s’do t’ia dijë për COVID-19, ndalon fjalën “koronavirus”

Foto: AFP

Pandemia COVID-19 ka dominuar agjendat mediale në mbarë globin që nga fillimi i këtij viti, por në një vend sekret të Azisë Qendrore nuk do të dëgjoni fjalën ‘koronavirus’ asnjëherë – dhe kjo po i vë në rrezik qytetarët e këtij vendi, ka thënë një raport i ri.

Në Turkmenistan, i cili u rendit në vendin e fundit në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave për vitin 2019 – madje një vend më poshtë se Koreja e Veriut – fjala “koronavirus” është hequr nga fjalori nacional, sipas organizatës së pavarur joqeveritare “Reporters Without Borders” (RSF), raporton mediumi amerikan “AbcNews”.

Qeveria, e udhëhequr nga presidenti Gurbanguly Berdymukhammedov, i cili në Turkmenistan njihet si “Babai mbrojtës” i kombit, ishte një nga të parat që nisi luftën kundër pandemisë duke i mbyllur kufijtë e saj në fillim të shkurtit, transmeton KOHA.

Deri më sot, asnjë rast me COVID-19 nuk është raportuar nga autoritetet, dhe mediat, të kontrolluara nga qeveria turkmene, kanë hequr nga përdorimi fjalën “coronavirus” nga çdo burim informacioni publik, nga pamfletet shëndetësore e deri tek shkollat e spitalet, sipas RSF.

Përkundër ndalimit të fjalës, lideri i shtetit fqinj të Uzbekistanit foli me presidentin e Turkmenistanit javën e kaluar, ndërsa në njoftimin për media nga lideri i Uzbekistanit u tha se dy liderët biseduan për disa masa të ndërlidhura me përhapjen e koronavirusit.

“U diskutuan aspektet aktuale të bashkëpunimit bilateral, përfshirë masat prioritare të ndërmarra në dy vendet për të parandaluar përhapjen e infektimit me koronavirus”, ka thënë komunikata.

Në ndërkohë, komunikata e qeverisë turkmene nuk e përmendi fare koronavirusin.

RSF thotë se autoritetet turkmene njihen për adoptimin e masave ekstreme, e kjo ka ndodhur edhe me koronavirusin. “Mohimi i informacionit jo vetëm që rrezikon qytetarët turkmenë, por edhe rithekson autoritarizmin e imponuar nga presidenti. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë dhe ta vejnë para drejtësisë për shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut”, ka thënë shefja e deskut të RSF-së për Evropën Lindore dhe të Azisë Qendrore, Jeanne Cavelier.