Kuriozitet

Koronavirusi, supermarketet në Britani kufizojnë shitjen e letrave të tualetit

Foto: Shutterstock

Supermarketet në Britani të Madhe, në tentim për t’i parandaluar blerësit që të blejnë sasi të mëdha produktesh, kanë vendosur limite nëpër artikuj si pasta, peceta anti-bakteriale, sapun dore, letër tualeti dhe medikamente për fëmijë.

Raftet nëpër dyqane në mbarë vendin kanë mbetur pa artikujt e sipërpërmendur pasi Agjencia britanike e Shëndetit Publik kërkoi nga publiku të “bëjnë plane paraprake” në rast se iu duhet të vetizolohen për disa javë.

Megjithatë, këshilltari kryesor shkencor i qeverisë, Sir Patrick Vallance, ka thënë se “nuk ka absolutisht asnjë arsye” që britanikët të blejnë artikuj nga paniku, raporton “The Guardian”.

Dyqani Tesco pothuajse e ka shitur tërësisht produktin e vetë të pastave dhe domateve në kanaçe online dhe tani ka limituar shitjen e artikujve në pesë për blerës. Kategoritë përfshijnë qumështin me afat të gjatë, zbardhuesit, perimet në kanaçe, medikamentet e fëmijëve, ujin dhe pecetat anti-bakteriale, gjelet dhe sprejet, transmeton KOHA.

Këto restriksione aplikohen online dhe në dyqane. Konsumatorëve u është thënë: “E dimë se ka kërkesë për disa produkte të caktuara për momentin dhe po punojmë vërtet shumë për të pasur në treg ato për t’i ndihmuar konsumatorët. Kemi zbatuar një qasje logjike për t’u siguruar se të gjithë konsumatorët mund të kenë qasje në gjërat elementare”.

Asnjë supermarket tjetër nuk e ka adresuar racionalizimin e ushqimit, por shumica kanë vënë kufizime në gjelet anti-bakteriale për konsumator – nëse veçse nuk u janë shitur të gjitha sasitë.

Ocado, shërbimi për dërgesa online i Waitrose, ka racionalizuar shitjen e letrave të tualetit të dielën, duke ua kufizuar konsumatorëve blerjen e maksimumi dy pakove.

Në Britani të Madhe, të dielën janë raportuar 273 persona të konfirmuar me Covid-19.

Brengat për koronavisurin duket se kanë bërë që letra e tualetit të shitet me të madhe nëpër botë. Ndaj dy femrave në Australi është ngritur aktakuzë për rrahje pasi u incizuan në një supermarket australian duke u rrahur për një pako letër tualeti.

Çmimet e produkteve për pastrim të duarve janë rritur për 5,000% online.