San Paulo, 27 shkurt – Jam i sigurt vetëm për dy gjëra, që do të vdes dhe që Toka është e sheshtë, thotë Ricardo, pronari i një restoranti në San Paulo, ku mblidhen “tokësheshtët”.
“Ka patur shumë polemika, sepse është e vërteta dhe u hap sytë njerëzve”, vazhdon ai.
Brazilianët që janë të bindur se Toka është e sheshtë, priren të jetojnë në hije, disi të persekutuar, gati paranojakë.
Ata komunikojnë në grupe të mbyllura në WhatsApp, në Facebook dhe veçanërisht në YouTube, ku kanalet e tyre ndiqen nga dhjetëra mijëra njerëz.
Në këtë bashkësi dixhitale, “tokësheshtët” mund të ndajnë lirisht besimin e tyre, përvojat në fizikë ose optikë: Toka është e palëvizshme dhe e sheshtë.
Për më tepër, është shkruar edhe në Gjenezë.
“Lëvizja jonë është rritur shumë nga 2016/2017. Sot në Brazil jemi më shumë se 11 milionë që e kemi kuptuar se Toka është e sheshtë”, tha Anderson Neves, një sipërmarrës 50-vjeçar.
Kjo shifër, 7% e brazilianëve, është dhënë nga instituti Datafolha dhe i përket një komuniteti të përbërë kryesisht nga burra, shpesh katolikë ose evangjelistë dhe relativisht të paarsimuar/AFP.