Kuriozitet

Si është të jetosh me koronavirus!

Li Xiaoxiong, 29 vjeçare, drejtonte si vullnetare një ekip në Wuhan, që shpërndante medikamentet e nevojshme nëpër spitale.

Ajo në një lidhje direkte me Sky News, ka treguar se duke bërë punën vullnetare, është prekur me koronavirus, tash i njohur si COVID-19.

Pas një kontakti të gjatë në një ashensor me një mjek që tashmë veç kishte marrë koronavirusin, edhe Li po atë ditë u prek nga ky virus, transmeton Koha.net.

Tash Li është duke u trajtuar në një nga spitalet më të mëdha ku ka persona të prekur me koronavirus, e që qeveria e ndërtoi brenda vetëm një jave.

Ajo, ka xhiruar madje edhe një video për t’i treguar botës, se si është të kesh koronavirusin.

Aty thotë të ketë hyrë prej 23 janarit, në orën 10 të mëngjesit.

“Ky spital nuk është larg shtëpisë time, kështu që mendova se mund të bleja diçka vetë dhe t'i dërgoja ato në spital. I lash informacionet për veten në rrjetet sociale. Po atë ditë, bleva maska ​​me vlerë 14,000 juan, 1,542 copë dhe i dërgova në spital. Të dhënat e mia u përhapën kudo. Pas kësaj, shumë spitale të tjera më kontaktuan, duke thënë se kishin mungesë të furnizimeve mjekësore, e sidomos maska. Më kërkuan t’u dërgoja dhe ashtu veprova”, u shpreh Li.

Thotë se askujt s’mund t’i thoshte jo, edhe pse e dinte se mbase po rrezikonte edhe veten e saj. Kishte marrë përsipër t’u ndihmonte kush t’i kërkonte ndihmë.

Ajo thotë se s’është fare punë e lehtë as t’u ndihmosh të prekurve, por aq më tepër të jesh vet me koronavirus.

Ajo pohon se kur ishte intervistuar nga një gazetar, ai i kishte thënë se nuk mund t’i paraqesë në opinion vështirësitë që njerëzit i përballojnë nga koronavirusi, por se mund të shkruante vetëm gjëra pozitive. Sepse përndryshe, në këtë mënyrë do të tregonte sesa e padobishme është qeverisja në Wuhan.

“Isha shumë e dëshpëruar. S’e di për të tjerët, por qaja vazhdimisht tërë ditën në shtëpi. I luta gazetarët të shkruanin çka po ndodh me të vërtetë. Por s’i duket, askush s’mund të gënjente më, as vet qeveria, sepse tash numri është rritur jashtëzakonisht”, tha Li, transmeton Koha.net.

Ajo tregon se në spital, mjekët marrin nën kontroll më shumë se 100 pacientë në ditë. Kur kishte mbërritur në spitalin ku tash qëndron vet, ishte prekur me koronavirus, që ia barti një mjek në ashensor.

Li tregon se tashmë edhe ajo ndihet shpeshherë keq me shëndet. Thotë se mushkëritë e saj janë infektuar.

Katër ditë kishte qëndruar në shtëpinë e saj me temperaturë shumë të lartë. Megjithëse thotë se s’ka qëndruar afër prindërve, tash të infektuar janë edhe ata.

Ajo thotë se tash në këtë spital, kushtet nuk janë edhe aq të këqija. Çdo ditë, thotë se marrin TCM, ilaç kinez tradicional.

Spitali gjithashtu u shërben qese me TCM për pneumoni.

“Shumë pacientë janë shëruar duke marrë vetëm këtë”, thotë ajo.

“Për të qenë e sinqertë, ambienti nuk është i keq. Ushqimi është i mirë, madje më i mirë se në shtëpi. Hamë molla e perime shumë”, u shpreh ajo.

Thotë gjithashtu se ka tualete të mjaftueshme, lavaman e dushe.

“Ajri brenda është i freskët vazhdimisht, nuk është sikur kemi ngecur brenda. Ka vazhdimisht lëvizshmëri”, shprehet ajo.

Ajo, madje thotë se atje, “njerëzit po shërohen nga koronavirusi”.

Pranon se ndihen në ankth të vazhdueshëm, por thotë se qeveria po punon për t’ju ndihmuar.