Dyqanet e dorës së dytë, vendi ku mund të visheni me 10 euro

Drenushë Maxhuni Drenushë Maxhuni 26 February 2020 13:38

Veshmbathjet e dala nga moda, ato me ndonjë defekt nga fabrika apo edhe të përdorura, nuk do të thotë se janë të pashfrytëzueshme.

Përkundrazi, ato madje janë shndërruar në rrobat më të kërkuara nga të gjitha moshat dhe llojet e konsumatorëve. Janë një sërë markash të njohura botërore, rrobat e të cilave mund të hasen në secilin prej këtyre dyqaneve të “Secondhand”, raporton emisioni SOT në KTV.

E kohëve të fundit mundësi për të blerë rroba të dorës së dytë është dhe në rrjetet sociale, si në Facebook dhe Instagram.

Xhaketa të ndryshme, fustane, këmisha, këpuca, syze e ora klasike e deri tek aksesorë shumëngjyrësh e të punuar me delikatesë gjenden të renditura në dyqanin e dorës së dytë “Vintage&Art”. E çmimet për veshmbathje fillojnë nga dy euro. Nëse ju përshtatet një fustan dhe një palë këpucë mund të visheni me 10 euro.

Greta Guci, e cila punon tash e disa muaj në këtë dyqan, ka thënë se “Second hand” është një trend i ri botëror i modës, është bërë një adresë për të gjithë personat që kanë dëshirë të kenë një stil të veçantë.

Sipas saj, prej kërkesave të mëdha të klientëve edhe jashtë Prishtinës janë detyruar që të hapin një faqe të dyqanit edhe në rrjetet sociale, si Facebook dhe Instagram.

Materialet kualitative të brendeve të njohura botërore që vijnë në këtë dyqan nxisin që shumë disenjatore t’i blejnë ato dhe t’i përpunojnë. E mallin për këtë dyqan thotë se e marrin nga Greqia.

Klientët, sipas saj, janë të kënaqur me çantat klasike që i ofrojnë.

Vinatge&Art ofron edhe aksesorë të ndryshëm. Disa prej tyre janë të punuara me gurë natyralë e disa janë punim dore.

Në këto dyqane e keni mundësinë të blini gjëra origjinale me një çmim shumë të lirë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme