Kuriozitet

Somalia përballet me invazionin më të madh të karkalecave në 25 vitet e fundit

Somalia po përballet me invazionin më të madh të karkalecave në 25 vitet e fundit, njoftoi Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Tufat e karkalecave, të cilat çdo ditë e më shumë po kërcënojnë tokat bujqësore në Afrikën Lindore, kanë vështirësuar edhe punën e bujqve somalezë.

Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së tha në një deklaratë se rreth 70 mijë hektarë tokë në Somali dhe Etiopi janë prekur nga invazioni i karkalecave të shkretëtirës.

Në deklaratë, siç transmeton AA, thuhet se në gjashtë muajt e ardhshëm, 100 mijë hektarë tokë do të kenë nevojë të merren nën mbrojtje dhe se është e nevojshme të hartohen plane afatmesme dhe afatgjatë kundër këtij fenomeni.

Organizata ka thënë se vendi po përballet me dëmin më të madh në 25 vitet e fundit, duke paralajmëruar se tufat e karkalecave mund ta shtrijnë ndikimin edhe në Kenia, Xhibuti, Eritre, Sudanin Jugor dhe Sudan.

Tufat e karkalecave, të cilat mund të udhëtojnë 150 kilometra çdo ditë, brenda një dite mund të dëmtojnë produktet bujqësore që do të plotësonin nevojat ushqimore të mijëra njerëzve.