Kuriozitet

Kabllot nënujore të telekomit mund të shërbejnë edhe si detektorë tërmetesh

Siç mund ta imagjinoni, instalimi i sensorëve sizmikë në shtratin e oqeanit nuk është një detyrë e lehtë.

Kohët e fundit, megjithatë, shkencëtarët ia kanë dalë ta detektojnë aktivitetin sizmik të shtratit detit duke përdorur diçka që tashmë ka qenë atje poshtë - një kabllo telekomunikimi me fije optike, transmeton Koha Ditore.

Projekti ka përfshirë hulumtues nga Universiteti i California-Berkeley, Lawrence Berkeley National Laboratory, Monterey Bay Aquarium Research Institute dhe Universiteti Rice me seli në Texas. Gjatë një periudhe katërditore, ata e shfrytëzuan një pjesë prej afërsisht 20 km të një kablloje 52 km të gjatë që ishte vendosur në vitin 2009 përgjatë shtratit të Monterey Bay të Kalifornisë. Kjo kabllo e lidh një "nyjë shkencore" të mbledhjes së të dhënave oqeanografike me një laborator në Aquarium.

Një pajisje fotonike u përdor për të dërguar së pari impulse të shkurtëra të dritës laserike poshtë kabllos, dhe më pas për të detektuar prapa-devijimin e dritës, që u krijua nga tendosja në kabllo që ishte shkaktuar nga tërheqja. Ky prapa-devijim mund të matej një herë në çdo 2 metra, në thelb duke i shndërruar 20 kilometra kabllo në 10,000 sensorë të veçantë. Nyja shkencore në fund të kabllos nuk u përfshi në proces, i cili njihet si Distributed Acoustic Sensing.

Shkencëtarët kështu ishin në gjendje ta zbulonin një tërmet me fuqi prej 3.4 i cili ndodhi 45 km në tokë afër qytetit Gilroy, Kaliforni, plus ata i detektuan me saktësi si "gjendjen e qëndrueshme" ashtu edhe valët e stuhisë në sipërfaqe. Për më tepër, teknologjia ua mundësoi që t’i hartëzonin zonat nëndetare të pahartëzuara më parë brenda sistemit San Gregorio Fault.

Tani shpresohet që gjetjet e tyre do të mund të zbatohen në rrjetin tashmë të instaluar mbarë botëror të kabllove nëndetare telekomunikuese, duke e rritur në masë të madhe sasinë e të dhënave sizmike që mund të mblidhen - ndoshta edhe duke dhënë paralajmërime të hershme për tërmetet.

"Kemi boshllëqe të mëdha të njohurive për proceset në shtratin e oqeanit dhe strukturën e kores oqeanike sepse është sfiduese të vendosni instrumente si sizmometra në fund të detit," thotë prof. Michael Manga nga UC Berkeley. "Ky hulumtim është premtues për përdorimin e kabllove ekzistuese me fije optike si grupe sensorësh për skanime në mënyra të reja."

Punimi për hulumtimin - i cili u drejtua nga studenti i diplomuar i UC Berkeley Nate Lindsey dhe prof. Jonathan Ajo-Franklin nga Universiteti Rice - u publikua së fundmi në revistën Science.