Kuriozitet

Një kg tartuf i bardhë shitet 120 mijë euro

Një tartuf i bardhë, me peshë pak më shumë se 1 kilogram u shit për 120 mijë euro ose 120 euro për gramë, në ankandin e 20 të tartufit të bardhë të mbajtur në Alba, afër Torinos.

Një pasanik nga Hong Kongu pagoi 120 mijë euro ose 132 mijë dollarë për tartufin monstër, që tashmë është ngjitur mbi një avion drejt Hong Kongut.

Oferta e pasanikut nga Hong Kongu la pas ato nga Singapori dhe Moska, duke rrëmbyer tartufin e çmuar në ankandin botëror për të 17 herë radhazi në 20 vite, transmeton K.J. Më shumë se 90 personalitete të qytetit, u mblodhën në restorantin e tij për një darkë gala me pesë pjata, ku dominon padyshim tartufi i bardhë, me një pagesë prej 1900 dollarësh për kokë, me të gjitha të ardhurat që shkojnë për bamirësi. Më pas u hap edhe ankandi online për tartufin 1.005 kilogramësh.

Mbledhja e tartufit të bardhë ka qenë e bollshme dhe kjo për shkak të klimës më të ngrohtë dhe tokës më të hidratuar. Qeni që gjeti tartufin gjigant po ashtu, ishte i pranishëm në ankand.