Rrugët e Madridit pushtohen nga qindra dele Foto: EPA

Rrugët e Madridit pushtohen nga qindra dele

21 October 2019 13:17

Rrugët e Madridit të dielën u stërmbushën me rreth 2 mijë dele që parakaluan përmes qendrës së qytetit për ngjarjen vjetore.

Kryeqyteti spanjoll shtrihet në rrugën antike migruese përmes së cilës barinjtë i lëvizin bagëtitë e tyre në jug gjatë dimrit, raporton Reuters.

Kjo ngjarje njihet me emrin “Fiesta de la Trashumancia” (Festivali Transhumancës) dhe promovohet nga autoritetet turistike lokale.

Festivali nisi më 1994 dhe ka për qëllim të nderojë trashëgiminë rurale të zonës. Aty shfrytëzohet një rregull mesjetar i cili u jep të drejtën barinjve të kalojnë përmes qytetit me kafshët e tyre, transmeton Koha.net.

Çdo vit paguhet një shumë nominale në këmbim të kalimit të sigurt për kafshët, në një ceremoni mes kryebashkiakut dhe kryebariut në qendër të qytetit.

Ngjarja nderon marrëveshjen e vitit 1418 me këshillin e qytetit kur ishte caktuar shuma prej 50 monedhave për 1 mijë krerë bagëtish për kalimin e tyre.

Madje disa barinj vijnë të veshur me veshje tradicionale, përfshirë nallanet, për festën në fjalë.

Turistët janë shprehur të kënaqur me atë që kanë parë, duke thënë se nuk kanë qenë në dijeni për këtë festival më parë.

Shumë prej deleve bartnin zile për këtë rast, duke shkaktuar zhurmë të madhe nëpër rrugët e Madridit.

Veç 2 mijë deleve, nëpër rrugë ishin edhe 100 dhi.

  • Foto: Reuters
  • Foto: Reuters
  • Foto: Reuters
  • Foto: AFP

Komentet

Shto koment

Të ngjashme