Gaforrja “aliene” po falimenton peshkatarët shqiptarë në Divjakë

Gaforrja “aliene” po falimenton peshkatarët shqiptarë në Divjakë

20 September 2019 11:22

Gaforrja blu, ose siç i thonë vendasit, gaforrje aliene, po i tmerron peshkatarët në Karavasta. Aq shumë është shumuar në lagunë dhe në bregdetin Adriatik në Divjakë, saqë rrjetat mbushen vetëm në pak minuta. Stilian Kishta me varkën e tij ka dalë për peshkim. Por është i bindur se do të gjejë vetëm gaforre. Ai ka tre muaj që nuk ka zënë një kg peshk.

Njohësit e këtyre ujërave thonë se ka tre vjet që peshku dhe ngjala është zhdukur. Ata besojnë se po shfarosen nga gaforrja, e cila lëshon deri ne pesë millionë vezë. Janë të fuqishme dhe agresive. Rrjetat e peshkatarëve dalin jashtë përdorimit.

Kjo specie është e ngrënshme dhe me vlera ushqyese, por ka shumë pak treg për të. Edhe çmimi është mjaft i ulet 50 lekë për kg dhe peshkatarët nuk kanë interes. Ata i lënë të ngordhin. Vetëm në një ditë zunë deri në 200 kg gaforre, por asnjë lokal apo restorant nuk i bleu.

Përgjatë vijës bregdetare të detit, tonelata gaforre janë braktisur. Sasia e madhe e tyre ka varfëruar peshkatarët, të cilët nuk po gjejnë më peshk. Nga 200 ton ngjala në vit të lagunës Karavasta, peshkatarët kanë nxjerrë vetëm disa kilogramë./abcnews

Komentet

Shto koment

Të ngjashme